Një mosmarrëveshje për një frigorifer banak ka përfunduar me arrestimin e dy pronarëve të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, në Tiranë.
Në pranga kanë rënë Sefedin Ahmetaj dhe Edjola Harunaj, të cilët dyshohen se i kanë hequr lirinë një klienteje. Sipas informacioneve, gruaja ishte rikthyer në dyqan pasi frigoriferi që kishte blerë nuk funksiononte dhe kishte kërkuar rimbursimin e plotë të shumës së paguar.
Pretendimi i saj për kthimin e parave është refuzuar nga pronarët e biznesit, çka ka sjellë përshkallëzimin e konfliktit.
Sipas burimeve, klientja është mbajtur kundër dëshirës së saj brenda ambienteve të dyqanit për rreth dy orë dhe dyshohet se është dhunuar.
See also Irani kërcënon me sulme të reja raketore: Jemi gati të luftojmë për aq sa të jetë e nevojshmeNë vendngjarje ka ndërhyrë Policia, por situata është tensionuar edhe më tej. Dy pronarët dyshohet se kanë kundërshtuar efektivët gjatë ndërhyrjes, ndërsa Edjola Harunaj akuzohet se i ka shkaktuar një punonjësi policie djegie në dorë me një cigare.
Pas incidentit, të dy pronarët u arrestuan, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta”, njofton policia.
