Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka dënuar kërcënimet e drejtuara ndaj Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Shoqata përmes një komunikate për media thotë se ky akt kërcënimi, përmes rrjeteve sociale, përbën një përpjekje të papranueshme për të frikësuar dhe dobësuar institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në vend.
“Kjo nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe shtetit ligjor”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se Shoqata e Prokurorëve dënon me vendosmëri çdo përpjekje për të penguar veprimtarinë e drejtësisë, duke kujtuar se këto kërcënime nuk do të ndikojnë në përkushtimin dhe përpjekjet tona të palodhshme për të mbrojtur ligjin dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto akte të turpshme janë të drejtuara jo vetëm kundër Kryeprokurorit Kryeziu, por edhe kundër të gjithë atyre që punojnë në funksion të drejtësisë dhe sigurisë në vend.
Derisa, Shoqata apelon ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit që të veprojnë me shpejtësi dhe me vendosmëri për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtyre kërcënimeve, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e atyre që janë në shërbim të interesit publik.
Ndryshe, Shoqata e Prokurorëve do të qëndrojë e palëkundur në mbështetjen e Kryeprokurorit Kryeziu dhe të gjithë prokurorëve që veprojnë me integritet dhe përkushtim, duke luftuar për drejtësinë dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës./teve1.info/