Bota

Shpallet fituesi i Çmimit Nobel për Paqen

Politikania dhe aktivistja venezueliane María Corina Machado është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe 2025, për kontributin e saj të vazhdueshëm në mbrojtje të të drejtave demokratike të popullit venezuelas dhe për përpjekjet e saj për një tranzicion paqësor drejt demokracisë.

Në një njoftim zyrtar në rrjetin social X, Komiteti Nobel theksoi se Machado u vlerësua “për punën e saj të pandalur në promovimin e të drejtave demokratike dhe përpjekjet për të arritur një kalim të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci.”

Komiteti shtoi se çmimi i këtij viti i jepet “një gruaje që mban gjallë flakën e demokracisë në një kohë kur errësira po zgjerohet.”

Sipas kryetarit të Komitetit Nobel, Jørgen Watne Frydnes, Machado ka qenë një figurë e rëndësishme dhe bashkuese në jetën politike të Venezuelës, duke mishëruar vlerat thelbësore të demokracisë.

“Kjo është thelbi i demokracisë — vullneti ynë i përbashkët për të mbrojtur parimet e sundimit popullor, edhe kur kemi dallime. Në një kohë kur demokracia është nën presion, është më e rëndësishme se kurrë të ruajmë këtë terren të përbashkët,” – theksoi ai.
Frydnes përmendi gjithashtu rreziqet që shoqërojnë veprimtarinë demokratike në Venezuelë, duke nënvizuar se Machado ka zgjedhur rrugën e votës dhe dialogut në vend të dhunës.

“Më shumë se 20 vjet më parë ajo zgjodhi kutitë e votimit në vend të armëve, duke u bërë simbol i betejës paqësore për liri dhe drejtësi,” – u shpreh ai, duke shtuar se “sakrificat e saj janë frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e demokracisë.”
María Corina Machado, e njohur për qëndrimin e saj kritik ndaj regjimit të Nicolás Maduros, ka udhëhequr për vite me radhë lëvizjen opozitare në Venezuelë, pavarësisht presioneve politike, ndalimeve dhe kërcënimeve ndaj saj dhe mbështetësve të saj.

/tiranapost

Të Ngjashme