Lajme

​Shpallja e aktgjykimit për rastin “Banjska” më 24 prill

Shpallja e aktgjykimit për rastin “Banjska” do të bëhet më 24 prill, në ora 15:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ky vendim është bërë i ditur gjatë seancës ku janë paraqitur fjalët përfundimtare të mbrojtjes së të akuzuarve, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Përveç Dushan Maksimoviqit, të akuzuarit tjerë në këtë rast kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në seancën e shpalljes së aktgjykimit.

Para trupit gjykues, i akuzuari Dushan Maksimoviq tentoi të shfajësojë vetën nga veprat për cka akuzohet.

“Kemi pranuar përgjigje lidhur me fotografitë, për cilët unë kam thënë se kurrë më parë nuk i kam parë ato fotografi. Normal se nuk i kam parë ku të gjitha fotografitë nga dy telefonat të cilat janë të regjistruar me emër të njëjtë, ashtu siç e tha edhe avokatja ime Jovana, SMA 127F, janë të përfshkruara sikurse janë të miat. Kush i ka regjistruar këta dy telefona me emër të njëjtë, le të jetë në ndërgjegjen e tij. Do të tentojë që të mos e zbulojë hetimin, dhe besoj që prokurori Admir Shala do të më falë. Vetëm do të them se ai e udhëheq lëndën në lidhje me barrikadat nga muaji dhjetor 2022 por të gjitha fotografitë nga kjo aktakuzë në faqen 132 dhe 133 janë pjesë e asaj lënde të tij. Mendimi është se ju është dashur ta dini këtë gjë”, ka thënë ai.

Mbrojtja e të akuzuarit, Dushan Maksimoviqit, avokatja Jovana Filipoviq ka kërkuar gjykim lirues.

“Dushan Maksimoviq në ditën kritike nuk ka qenë në Banjskë. Nuk ka marrë pjesë në ngjarjen e cila ka ndodhur, në kryengritjen e armatosur, në veprat terroriste, në çka do që ka lidhje me këtë aktakuzë. Dushan ka qenë së bashku me shoktë e tij, ashtu sic disa herë e ka përshkruar. Dhe në këto rrethana, në plotëni ka alibi. Alibi kanë dashur t’i japin edhe shoktë e tij të cilët kanë qenë së bashku me të. Pra, shokët e tij kanë qenë të propozuar që të jenë dëshmitarë qysh nga qershori 2025, 9 korriku pra”, tha ajo.

Në gjykatore sot janë paraqitur edhe fjalët përmbyllëse të dy të akuzuarve të tjerë dhe mbrojtësve të tyre.

Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.

Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator pati ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.

Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.

Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës.

Javën e kaluar është arrestuar Stefan Raduloviq, i dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.

Të Ngjashme