1
Shtetet e Bashkuara kanë publikuar një nga dosjet më të mëdha të dokumenteve të lidhura me skandalin e Jeffrey Epstein, duke hedhur në dritë një volum rekord materialesh që kanë ndezur edhe një herë debatet globale për rrjetin e tij të kontakteve, mbrojtjet e mundshme dhe heshtjen e gjatë që e rrethoi këtë çështje.
Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi ka bërë publike disa statistika të bazuara në kërkimet online të qytetarëve nga Shqipëria dhe Kosova, lidhur me dosjen Epstein.
Sipas tij, përmendja e emrit të ish-presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit të qytetarëve për këtë çështje, duke i shtyrë ata të kërkojnë më shumë informacion në internet.
Kallanxhi tha se, sa i përket kërkimeve për emrin Jeffrey Epstein, deri pasditen e djeshme Tirana renditej në vendin e parë për interesin më të lartë, ndërsa sot Shkodra ka kaluar në krye të listës.
“Unë kam nxjerrë disa statistika bazuar në kërkimet e shqiptarëve dhe kosovarëve.Përmendja e emrit të ish-presidentes Atifete Jahjaga i ka shtyrë ata të kërkojnë më shumë rreth kësaj çështjeje.
Për sa i përket kërkimeve për emrin Jeffrey Epstein, deri dje pasdite Tirana ishte në vend të parë, por sot Shkodra është qyteti që ka kërkuar më shumë. Pas saj renditen Tirana, Berati, Elbasani, Fieri dhe, në vend të fundit, është Lezha”, tha Kallanxhi.
