Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mbajti një fjalim të fuqishëm në Parlament, ku kritikoi ashpër buxhetin e vitit 2025 dhe politikat ekonomike të qeverisë.
Ajo argumentoi se buxheti i ri nuk përfaqëson interesat e qytetarëve dhe favorizon një ekonomi të ndërtuar mbi interesat e ngushta të oligarkëve dhe bizneseve të mëdha, duke përjashtuar përfitimet për qytetarët e zakonshëm.
Tabaku e konsideroi buxhetin e propozuar si “të papërgjegjshëm” dhe si një vazhdimësi e një modeli që ka çuar në varfërimin e shqiptarëve dhe plakjen e popullsisë.
Shqipëria po plaket. Shumica e shqiptarëve janë pensionistë dhe qeveria kujtohet për ta vetëm kur afrohen zgjedhjet,” tha Tabaku, duke theksuar se rritja e çmimeve dhe kushtet ekonomike po i shtyjnë të rinjtë të largohen nga vendi. Sipas saj, rritja e kostos së jetesës me mbi 55% gjatë dekadës së fundit është pasojë e drejtpërdrejtë e kapjes së tregut dhe monopolizimit të tij nga një grusht biznesesh, që kanë krijuar një klimë oligopoliste.
Tabaku u ndal gjithashtu tek politika fiskale, duke e cilësuar si të pabarabartë dhe të ngarkuar me taksa që nuk mbështesin as sipërmarrësit, as qytetarët e zakonshëm.