Lajme

Shqiptarët synojnë përfaqësim në zgjedhjet komunale në Belmont- Broye të Zvicrës

Fundamenti

Nga Sevdail Hyseni – Në Kantonin e Friburgut në Zvicër, më 8 mars të këtij viti mbahen zgjedhjet komunale, një proces i rëndësishëm demokratik për përfaqësimin lokal dhe për drejtimin e komunave në pesë vitet e ardhshme. Mes komunave ku këto zgjedhje priten me interes të veçantë është edhe Belmont-Broye, një komunë e njohur për praninë dhe angazhimin aktiv të komunitetit shqiptar në jetën shoqërore dhe politike.

Kjo komunë ka qenë tashmë e njohur edhe për kontributin e përfaqësuesve me prejardhje nga Lugina e Preshevës, konkretisht nga fshati Tërnoc Komuna e Bujanocit, të cilët në vitet e fundit kanë qenë pjesë e strukturave vendimmarrëse lokale.

Njëri ndër ta është edhe Ismail Ismaili, i cili për dy mandate radhazi, nga pesë vite secili, ka qenë anëtar i Kuvendit të komunës (Conseil général), duke përfaqësuar qytetarët dhe duke dhënë kontribut në zhvillimin dhe funksionimin demokratik të komunës.

Pas dy mandateve të suksesshme në këtë institucion lokal, Ismaili këtë herë nuk do të garojë më në zgjedhjet e radhës. Megjithatë, tradita e angazhimit qytetar në familjen e tij pritet të vazhdojë përmes vajzës së tij, Valentina Ismaili-Xheladini, e cila ka vendosur të kandidojë dhe të synojë vazhdimin e përfaqësimit në Kuvendin komunal të Belmont- Broye për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Kandidatura e saj shihet si një vazhdimësi e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në këtë komunë dhe një dëshmi e integrimit të suksesshëm të diasporës shqiptare në jetën institucionale dhe politike të Zvicrës.

Mobi Casa

Një tjetër risi në këto zgjedhje është edhe kandidatura e Din Rexhajt, me prejardhje nga Peja, i cili garon në listën e Partisë Socialiste dhe të Gjelbërve. Kandidimi i tij pasqyron gjithashtu rritjen e rolit dhe të angazhimit të shqiptarëve në politikën lokale zvicerane, duke sjellë energji dhe ide të reja për zhvillimin e komunitetit dhe të komunës ku jetojnë.

Prania e kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet komunale të Belmont-Broye është një tregues i qartë i integrimit të diasporës shqiptare në shoqërinë zvicerane, por edhe i besimit që komuniteti ka fituar ndër vite përmes punës, përkushtimit dhe kontributit në jetën publike.

Zgjedhjet e së dielës priten me interes të veçantë nga komuniteti shqiptar në këtë komunë dhe më gjerë, me shpresën që Valentina Ismaili-Xheladini dhe Din Rexhaj të fitojnë mbështetjen e qytetarëve dhe të bëhen pjesë e Kuvendit të ri komunal për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Një sukses i mundshëm i tyre do të ishte jo vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi tjetër e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që shqiptarët po luajnë në jetën politike dhe shoqërore të Zvicrës./rajonipress/

Të Ngjashme