Shëndetësi

Shtatë përfitimet shëndetësore të një shëtitjeje…

“Dhjetë mijë hapa në ditë” është tashmë një mit për këdo që fillon të ndjekë një rutinë aktiviteti fizik. Ky numër magjik ka më pak vlerë shkencore nga sa mund të mendoni. Ai daton që nga një fushatë marketingu japoneze e viteve 1960, e projektuar për të promovuar një pedometër komercial dhe, për ndonjë arsye ende të paditur, njerëzit bëhen shpesh fajtorë që nuk e arrijnë këtë objektiv.

Organizata kryesore bamirëse për ecje në Britani, “The Ramblers”, thotë se përfitimet e ecjes pak dhe shpesh nuk duhen nënvlerësuar.

“Ecja në natyrë është një nga gjërat më efektive që mund të bëjmë për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien tonë. Edhe një shëtitje e shkurtër rreth parkut tuaj lokal mund të bëjë një ndryshim drastik”, thotë George Salmon, një zëdhënës i organizatës.

Sipas një artikulli të The Telegraph, nëse jeni ndër 60 përqind të njerëzve që vuajnë nga dhimbjet e shpinës, mund të jetë koha të jepni maksimumin. Ecja për 30 minuta pesë herë në javë mund të ndihmojë në parandalimin e dhimbjeve të shpinës, bazuar në një studim të ri.

Ecja çdo ditë mund të ketë përfitime shëndetësore:

Djeg kalori dhe kontribuon në humbjen e peshës, të cilat domosdoshmërisht varen nga mosha, pesha, gjatësia, gjinia dhe shpejtësia e ecjes. Një studim nga studiues të inxhinierisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos zbuloi se përzierja e shpejtësisë së ecjes mund të djegë deri në 20 përqind më shumë kalori krahasuar me ecjen me një ritëm të qëndrueshëm.

“Ecja me çdo shpejtësi kushton pak energji, por kur e ndryshon shpejtësinë, shtyp pedalin e gazit, si të thuash. Ndryshimi i energjisë kinetike të personit kërkon më shumë punë nga këmbët dhe ky proces sigurisht që djeg më shumë energji”, shpjegoi autori kryesor i studimit.

Zvogëlohet rreziku i diabetit të tipit 2, sipas një studimi, i cili zbuloi se kishte këtë efekt për çdo kilometër në orë që dikush ecte mesatarisht më shpejt. Ata që ecnin me një ritëm midis 3 km dhe 5 km në orë, që konsiderohet “një shpejtësi mesatare ose normale e ecjes”, ulën rrezikun e diabetit të tipit 2 me 15 përqind, krahasuar me ata që ecnin me një ritëm “ecjeje” më pak se 3 km në orë.

Përfitime më të mëdha kardiovaskulare merren nga ecja dhe shumë aktivitete të tjera të rregullta fizike.

“Pacientët mund të përfitojnë në afatshkurtër, siç janë përmirësimi i formës fizike, përbërjes së trupit, presionit të gjakut dhe profileve të lipideve. Përfitimet afatgjata përfshijnë uljen e rrezikut të sëmundjeve koronare të zemrës, ngjarjeve koronare dhe vdekshmërisë”, thanë autorët e një punimi të botuar në revistën “Current Opinion in Cardiology”.

Shkencëtarët kanë vënë në dukje gjithashtu se përfitimet për zemrën mund të vijnë sepse ecja kompenson kohën ulur, pasi një mënyrë jetese sedentare kontribuon në sëmundjet kardiovaskulare.

Përmirësohet njohja te pacientët me demencë, pasi përmirësohet funksioni njohës në të gjitha aspektet nëse bëhen ushtrime të lehta në mënyrë të rregullt, duke përfshirë ecjen.

Rrezik më i ulët ndaj kancerit. Një studim i vitit 2019 nga Shoqata Amerikane e Kancerit zbuloi se dy orë e gjysmë deri në pesë orë ushtrime të moderuara, siç është “ecja e shpejtë” çdo javë, ulnin rrezikun e shtatë llojeve të ndryshme të kancerit.

Përmirësohet humori, teksa raportohet në shumë hulumtime që shumë njerëz ndihen më mirë dhe më të qetë pasi dalin për një shëtitje. Mind, organizata bamirëse britanike për shëndetin mendor, publikoi një studim që krahasoi rezultatet e ushtrimeve në natyrë me një shëtitje brenda një qendre tregtare të mbyllur. 71% e të anketuarve raportuan nivele të ulëta të depresionit dhe thanë se ndiheshin më pak të tensionuar pasi bënë një shëtitje në një mjedis të gjelbër, ndërsa 90% ndjenin vetëvlerësim më të lartë.

Një vit jetë më shumë dhe më e shëndetshme mund të vijë nga një shëtitje e shkurtër. Në gjetjet e studimit të bëra nga Universiteti i Leicesterit, studiuesit e të cilit shqyrtuan nivelet e aktivitetit të rreth 70,000 personave, sugjerojnë se personat mbi 60 vjeç, joaktivë, që shtojnë një ecje të shpejtë prej 10 minutash në ditën e tyre, mund ta zgjasin jetëgjatësinë e tyre me rreth 11 muaj për gratë dhe 17 muaj për burrat. Përfitimet e zgjatjes së jetës ishin edhe më të mira nëse ecja zgjaste 30 minuta.

Pra, nuk ka rëndësi numri i hapave, pasi lajmi i mirë është se çdo numër hapash ka një ndikim vërtet pozitiv në shëndet dhe në jetën e gjithsecilit.

Të Ngjashme