Të gjithëve u ka rastisur të hasin një qen që rënkon, leh ose shikon me nervozizëm, sikur prania e tjetrit ta shqetësonte.
Ekspertët theksojnë se këto sjellje nuk duhet interpretuar si thjesht “nervozizëm”, por shpesh lidhen me arsye konkrete që variojnë nga problemet shëndetësore deri te ndryshimet në mjedis.
Sipas Parade Pets, shtatë nga shkaqet më të zakonshme të “ngërçit” tek qentë janë: dhimbjet fizike, shqetësimet gjatë pushimit, kontaktet e padëshiruara, zhgënjimet për qëllime të paarritura, ndryshimet në rutinë ose mjedis, mbingarkesa ndijore dhe procesi i plakjes i shoqëruar me probleme njohëse.
Veterinerët paralajmërojnë se dhimbja është shkaku kryesor që duhet përjashtuar para se sjellja e qenit t’i atribuohet karakterit.
Po ashtu, qentë kanë nevojë për qetësi, hapësirë personale dhe stabilitet, ndërsa mbistimulimi nga zhurma apo turmat mund të shkaktojë reagime mbrojtëse.
Ekspertët sugjerojnë që çdo ndryshim i papritur në sjellje duhet të shihet si sinjal për një kontroll tek veterineri, e në raste të caktuara edhe tek specialistët e sjelljes së kafshëve. Kuptimi i shkakut, sipas tyre, është çelësi për të siguruar që qeni të mbetet i shëndetshëm, i lumtur dhe i relaksuar.
