Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia 3 punonjësit e OSHEE të arrestuar për magazinën e barit që u zbulua në Selitë.
Ndërkohë që ka lënë në fuqi 4 masa të tjera sigurie “arresti në burg”, për kultivuesit e drogës, në godinën që rezulton në pronësi të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Sipas dosjes hetimore tubat e ujit për vaditjen e bimëve u futën përmes një tuneli, ndërsa energjia elektrike u mor nga linja e furnizimit të zyrave të agjencisë shtetërore të kadastrës.
Arrest në burg u caktua për Erlind Tresën, Asqeri Likajn mirëmbajtësin e godinës së ASHK-së si dhe shtetasin Elvis Lala.
Ata akuzohen për kultivim kanabisi të kryer në bashkëpunim ndërsa personi që ka organizuar kultivimin e kanabisit, 46-vjeçari Sajmir Karaj është shpallur në kërkim nga policia.
Për 3 punonjësit e OSHEE të akuzuar për shpërdorim detyre dhe Reshit Tresën që jetonte pranë vendit ku ishte kultivuar kanabisi gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiak.
Hetimet zbuluan se nga banesa 46-vjeçarit që gjendej rreth 30 metra larg godinës ku ishte mbjellë kanabisi, nëpërmjet një tuneli janë lidhur tubacionet e ujit që shërbenin për vaditjen e bimëve narkotike.
Sipas materialit të prokurorisë, linjës së energjisë elektrike që furnizonte katin e parë të godinës ku janë edhe zyrat e agjensisë shtetërore të kadastrës i ishte bërë një ndërhyrje e paligjshme, për të furnizuar me energji elektrike sipërfaqen ku u gjetën 193 rrënjë kanabisi të mbjella në vazo. Bimët kishin arritur lartësinë nga 90 deri në 120 cm. Ndërkohë në proces tharje janë sekuestruar edhe rreth 100 bimë të tjera.