LifeStyle

Shtëpia luksoze e Gene Hackman shitet për 6.25 milionë dollarë, aty ku aktori dhe bashkëshortja u gjetën të vdekur

Shtëpia luksoze e aktorit legjendar Gene Hackman në Santa Fe, ku ai humbi jetën së bashku me bashkëshorten e tij Betsy Arakawa, ka gjetur një blerës në më pak se dy javë nga momenti kur u hodh në treg.

Prona prej 6.25 milionë dollarësh (rreth 5.7 milionë euro), e shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 53 hektarësh, u listua zyrtarisht më 16 janar nga agjentët e Sotheby’s International Realty, ndërsa më 27 janar u shënua si “në pritje shitjeje”, sipas raportimit të Realtor.com.

“Ka blerës që hezitojnë të blejnë një pronë ku ka ndodhur një vdekje, por ka edhe të tjerë për të cilët kjo nuk ka rëndësi. Ne po e shesim pronën për vlerat dhe anët e saj pozitive”, u shpreh agjentja Tara S. Earley për Wall Street Journal. Ajo shtoi se çmimi ishte vendosur bazuar në vlerën reale të tregut.

Sipas WSJ, përpara daljes në shitje, sendet personale të çiftit ishin larguar dhe shtëpia ishte përgatitur profesionalisht për shitje.

Gene Hackman, 95 vjeç, bashkëshortja e tij Betsy Arakawa, 65 vjeçe, si dhe një nga tre qentë e tyre, u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre më 26 shkurt 2025, në gjendje të avancuar dekompozimi. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga PEOPLE, Hackman u gjet në një dhomë ndihmëse të shtëpisë, ndërsa Arakawa në banjë.

Autopsia e kryer disa javë më vonë përcaktoi se Betsy Arakawa kishte ndërruar jetë si pasojë e sindromës pulmonare nga hantavirusi, një sëmundje e ngjashme me gripin që lidhet me kontaktin me brejtësit. Ajo kishte ndërruar jetë disa ditë përpara Hackman, ndërsa komunikimi i saj i fundit ishte një email më 11 shkurt.

Nga ana tjetër, Gene Hackman vdiq si pasojë e sëmundjeve të rënda të zemrës, presionit të lartë të gjakut dhe Alzheimer-it të avancuar. Sipas hetimeve, është e mundur që aktori të ketë qëndruar për disa ditë në shtëpi pranë trupit të bashkëshortes së tij.

Në prill, në Santa Fe u mbajt një ceremoni private përkujtimore për çiftin.

Hackman kishte jetuar në Santa Fe që nga vitet ’90 dhe kishte deklaruar për Architectural Digest se qyteti kishte “një lloj magjie”, pasi kishte xhiruar disa filma në atë zonë.

Prona përfshin një shtëpi kryesore dhe një shtëpi për miq, të dyja me nga tre dhoma gjumi, pishinë të gjatë noti, jacuzzi të mbuluar me pagodë, fushë të vogël golfi (putting green), studio arti dhe zona të mëdha pyjore. Shtëpia kryesore ka dritare nga dyshemeja në tavan që lejojnë dritën natyrale, si edhe një bibliotekë të ngrohtë ku çifti kalonte mbrëmje duke parë filma. Prona është ndërtuar dhe zgjeruar gradualisht ndër vite.

Të Ngjashme