Shëndetësi

Shtrëngatat mund të shkaktojnë rritje të papritur të krizave serioze të astmës

Një studim i ri zbulon se shtrëngatat mund të shkaktojnë rritje të ndjeshme të krizave të rënda të astmës.

Studiuesit zbuluan se gjatë stuhive rritet ndjeshëm numri i vizitave në spital për shkak të astmës. Sipas Organizatës Botërore të Alergjive, stuhitë përbëjnë një faktor rreziku për pacientët me astmë që janë alergjikë ndaj polenit.

Kërkues amerikanë analizuan 4439 raste vizitash në spital për astmë në tre spitale të qytetit Wichita, Kansas, nga janari 2020 deri në dhjetor 2024. Duke përdorur të dhëna meteorologjike, ata identifikuan 38 ditë me stuhi gjatë periudhës së studimit.

Rezultatet treguan se rreth një në shtatë (14%) nga të gjitha vizitat për astmë, pra 627 raste, ndodhën pikërisht në ato 38 ditë stuhie, që përbënin vetëm 2% të ditëve të studimit.

Mesatarisht, numri i vizitave për astmë ishte gati 18 në ditë gjatë stuhive, kundrejt vetëm 3 vizitave në ditët pa stuhi.

Faktori i vetëm demografik i lidhur me rrezikun më të madh të krizave gjatë stuhive ishte mosha më e madhe. Gjinia, vendndodhja apo fakti nëse pacienti u shtrua apo u la të largohej, nuk kishin ndikim të rëndësishëm.

Autorja kryesore e studimit, dr. Diala Merheb nga Universiteti Mjekësor i Kansasit, tha: “Këto rezultate konfirmojnë se shtrëngatat mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin e personave me astmë.”

Ajo shtoi: “Pasi stuhitë janë të paparashikueshme, pacientët dhe mjekët duhet të përfshijnë masa të posaçme për stuhitë në planet e tyre të menaxhimit të astmës.”

Studiuesit theksojnë se shtimi i rasteve të astmës gjatë stuhive rëndon ndjeshëm shërbimet e urgjencës. Duke e njohur këtë lidhje, komunitetet dhe sistemet shëndetësore mund të përgatisin strategji për të mbrojtur personat më të ndjeshëm dhe për të ulur ngarkesën mbi spitalet.

Alergologia dhe bashkautore e studimit, dr. Selina Gierer, tha: “Nëse ju ose fëmija juaj keni astmë, është e mençur të përgatiteni për stuhitë njësoj si për ditët me shumë polen apo me mot të ftohtë.”

Ajo shtoi: “Kuptimi i shkaktarëve dhe një plan i qartë veprimi mund të ndihmojnë në shmangien e vizitave në urgjencë.”

Gjetjet u prezantuan në takimin vjetor shkencor të Kolegjit Amerikan të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë (ACAAI) në Orlando, Florida. / Talker News – Syri.net

Të Ngjashme