Lajme

Shtuni: Çdokush që qëndron prapa sulmit në Banjskë të japë llogari

Adrian Shtuni, ekspert në sigurinë ndërkombëtare, ka theksuar rëndësinë e ngritjes së aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë, duke e përshëndetur këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në drejtim të drejtësisë.

Shtuni, në magazinën ‘Info Plus’ në RTK, ka deklaruar se sulmi në Banjskë nuk është vetëm një akt terrorist, por një përpjekje për të destabilizuar kushtetutshmërinë e Kosovës dhe për të minuar stabilitetin e vendit.

“Unë e përshëndes faktin që po merren hapa konkretë për të vënë përpara drejtësisë, ata, të cilët kanë kryer një akt, i cili shkonte shumë përtej terrorizmit. Nuk është vetëm akt terrorist, ai ishte një sulm i cili cenon kushtetutshmërinë e Kosovës. Ishte një sulm paramilitar dhe kushdo që ka qenë prapa këtij sulmi duhet të jap llogari”, tha Shtuni.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë që Qeveria e Kosovës të fokusohet në synimin e saj strategjik që t’i bashkohet partneritetit euroatlantik, e që kjo sipas tij arrihet përmes partneritetit të ngushtë dhe bashkëpunimit dhe koordinimit të aleatëve, e jo të fokusohet në atë se  çfarë thotë Serbia.  

Sa i  përket situatës në veri, Shtuni tha se rëndësi ka që të punohet për të integruar popullsinë e etnisë serbe në infrastrukturën qeverisëse të vendit, në qeverinë lokale dhe në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës. “Ata janë qytetarë të Kosovës dhe ata duhen të trajtohen në atë mënyrë. Pra,  veriu do të duhej të jetë shqetësimi i Qeverisë së Kosovës dhe shqetësimet e popullsisë së veriut duhet të adresohen në bashkëpunim me ta. Vetëm në atë mënyrë nuk i lihet hapësirë të punojnë ata të cilët nuk duan që Kosova të arrijë synimet e saj”, ka shtuar Shtuni.

Në lidhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara ndaj Qeverisë së Kosovës, Shtuni ka theksuar se këto kërkesa nuk janë të reja.

Ato kanë qenë vazhdimisht konkrete dhe drejtpërdrejte jo vetëm për koordinim, por për një frymë më bashkëpunuese nga ana e Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të normalizohet situata dhe që të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve për normalizim të arritura në Bruksel dhe në Ohër”, tha ai.

Sipas tij, gjuha e këtyre kërkesave po bëhet gjithnjë më insistuese dhe më kritikuese publikisht.