Lajme

Shukri Buja ftohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Nerodimës, Shukri Buja ka njoftuar se ka udhëtuar për në Hagë pasi është ftuar nga Dhomat e Specializuara.

Buja përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka udhëtuar pa dëshirën e tij, raporton teve1.info

“Të nderuar bashkëluftëtarë, miq dhe dashamirë, të nderuar qytetarë!  Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë. UÇK-ja ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot. Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e imponueshme, e domosdoshme dhe e drejtë, ngaqë ishte e drejtuar kundër një pushtuesi, i cili përpiqej me zjarr dhe hekur të kryente spastrimin e përgjakshëm etnik të Kosovës. Lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarësinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg. Besoj në pafajësinë e bashkëluftëtarëve!” – ka shkruar iBuja.

Ndryshe, Buja ishte intervistuar më herët nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai kishte qenë në Hagë në korrik të vitit 2019.