Një video e Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, ku duket sikur i jep një shuplakë bashkëshortit të saj, presidentit Emmanuel Macron, është bërë virale në rrjet.
Por kjo nuk është hera e parë që çifti tërheq vëmendjen e publikut – historia e tyre e dashurisë vazhdon të jetë ndër më të komentuarat në politikën botërore.
Brigitte, sot 72 vjeçe, dhe Emmanuel, 47 vjeç, u njohën në shkollën katolike “Le Providence”, ku ajo ishte mësuese dhe ai vetëm 15 vjeç.
Në atë kohë, Brigitte ishte 39 dhe e martuar me bankierin André-Louis Auzière, me të cilin kishte tre fëmijë. Në fillim, prindërit e Macron mendonin se djali i tyre kishte ndjenja për vajzën e Brigitte-s, por sapo zbuluan të vërtetën, e dërguan në shkollë me konvikt në Paris.
Emmanuelit iu desh të largohej, mendova se do të dashurohej me dikë tjetër. Por kjo nuk ndodhi, tha Brigitte për “Paris Match”.
Çifti qëndroi në kontakt për një dekadë, ndërsa Brigitte nuk mori menjëherë divorc, duke pritur që fëmijët e saj të rriteshin.
Ajo pranoi se kjo ishte një periudhë e vështirë, pasi i lëndoi emocionalisht fëmijët e saj.
Në vitin 2006 ajo u divorcua dhe një vit më vonë u martua me Emmanuel Macron. Ish-bashkëshorti i saj ndërroi jetë në vitin 2019.
Sot, Brigitte dhe Emmanuel përpiqen të jenë sa më shumë pranë njëri-tjetrit, pavarësisht axhendës presidenciale.
“Ne jemi si çdo çift tjetër – diskutojmë, pajtohemi, grindemi… por gjithçka është e natyrshme. Jemi thjesht dy njerëz që kanë gjetur njëri-tjetrin”, ka thënë Brigitte për “Elle”.
Historia e tyre, ndonëse e pazakontë, është një shembull i dashurisë që sfidon normat dhe paragjykimet./ TAR
