Sot, fëmijët pritet të kalojnë pjesën më të madhe të ditës në shkollë. Mësimi është i ndarë në klasa dhe organizohet sipas moshës dhe aftësive. Por, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Arsimi nuk ka qenë gjithmonë i detyrueshëm, dhe në fakt, shumë fëmijë ndiqnin profesionet e prindërve të tyre në vend që të mësonin të lexonin dhe shkruanin. Çfarë dhe si mësohej varej nga vendi i individit në shoqëri.
Në kohët e lashta, si sot, arsimi vlerësohej lart. Lëndët varioninnga leximi dhe shkrimi deri te filozofia dhe etika. Edhe pse kemi pak dëshmi për të kuptuar si i mësonin fëmijët njerëzit e lashtë, dimë çfarë mësohej dhe kush kishte akses në mësimet. Ja si dukej arsimi në këto pesë shoqëri të lashta.
1. Mesopotami
Të dhënat për mësimin në shoqëritë e lashta janë të kufizuara, në varësi të shoqërisë për të cilën flasim. Por studiuesit kanë zbuluar disa dëshmi. Pllakëzat nga Mesopotamia e lashtë tregojnë se fëmijët shkruanin në pllakëza argjile ashtu siç mund të shkruhet sot në një tabelë me shkumës.
Fëmijët mësonin kuneiformin, një sistem të lashtë shkrimi, duke transkriptuar çfarë shkruante mësuesi dhe më pas fshinin çfarë kishin shkruar për të filluar nga e para. Studiuesit kanë gjetur rreth 600 pllakëza me forma të papërsosura, tipike për shkrimet e fëmijëve.
2. Egjipti i lashtë
Sa i përket Egjiptit të lashtë, ka shumë që nuk e dimë sepse nuk kemi të dhëna të mjaftueshme, thotë Aidan Dodson, egjiptolog dhe historian në Universitetin e Bristol-it. Dimë që vetëm një pjesë e vogël e popullsisë ishte e edukuar për të lexuar ose shkruar, dhe këta ishin ndoshta bijtë dhe ndoshta vajzat e atyre që tashmë dinin të lexonin dhe shkruanin.
“Nuk ka dokumente që tregojnë si mësonin,” thotë Dodson. Por shumica e asaj që ka mbijetuar janë kopje të bëra nga fëmijët e shkollës, një tregues që ata mësonin duke ndjekur diktimet e mësuesve. Përtej kësaj, shumica e popullsisë mësonte një profesion, duke u bërë çirakë të profesionit të babait ose nënës.
3. Roma e lashtë
Sipas edukatorit të lashtë Kuintilian, i cili jetoi në shekullin e parë pas Krishtit, të shkuarit në shkollë ishte më mirë sesa arsimi në shtëpi sepse fëmijët përfitonin nga ndërveprimi shoqëror me nxënës të tjerë.
Shkolla fillonte rreth moshës 7 vjeç dhe, ndonëse nxënësit ishin kryesisht meshkuj, shkonin edhe disa vajza, megjithëse nuk vazhdonin shumë larg në studimet e tyre pasi shumica martoheshin në adoleshencë. Nxënësit uleshin në dysheme në vend të bankave dhe nuk ndaheshin sipas klasave apo nivelit të aftësive, si sot.
4. Dinastia Zhou
Gjatë Dinastisë Zhou në Kinë, nga viti 1046 para Krishtit në vitin 256 para Krishtit, një pjesë e madhe e shkollimit bëhej në shkolla fshati dhe rrethi ku nxënësit e rinj mësonin të lexonin dhe shkruanin duke përdorur libra bambuje. Arsimi ishte i përqendruar në etikë dhe kishte një fokus laik.
Arsimi konsiderohej një ndjekje individuale e përcaktuar nga përsosmëria morale dhe vetëm nxënësit më të mirë vazhdonin në arsimin e lartë. Akademia Jixia, e cila u themelua në vitin 360 para Krishtit, përbëhej nga 100 shkolla që ofronin leksione të rregullta mbi një gamë të gjerë temash për burrat.
5. Inkasit
Perandoria Inkase, e cila ekzistoi nga viti 1200 pas Krishtit deri në vitin 1533 pas Krishtit, mësonte kryesisht përmes traditës gojore. Pjesa më e madhe e popullsisë mësonte një zanat në vend të arsimit akademik.
Përjashtim bënin fisnikët, të cilët kishin një sistem arsimor më të organizuar, të ndarë në katër vite. Në vitin e parë, nxënësit mësonin gjuhën kueçua, e cila flitej kryesisht nga elita. Më pas mësonin kuipu, artin e lashtë të nyjeve, si dhe kalonin kohë të konsiderueshme duke studiuar fenë. Viti i fundit përfshinte studimin e historisë, astronomisë, gjeografisë dhe shkencave.
Amautat, mësuesit profesionistë të Perandorisë Inkase, mësonin nxënësit. Këta studentë elitarë duhej të kalonin një provim në fund të studimeve për të përfunduar arsimin e tyre. / DiscoverMagazine – Syri.net