Pranë varrit të djalit të saj, qëndron e ulur e me lot në sy. Jo vetëm në këtë përvjetor, por Alltane Duraku tërë këto njëzet e shtatë vjet i ka kaluar me plot dhimbje dhe mall që nuk shuhet kurrë.
Djali i saj, Jetoni nga Krusha e Madhe u vra nga kriminelët serbë.
Në përvjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, si edhe shumë nëna tjera, ajo shkoi për homazhe pranë varrit të djalit, i cili i kishte vetëm 17 vjet aso kohe.
Njëzet e shtatë vjet pas luftës, në Krushë të Madhe sot mbizotëroi loti dhe dhimbja për gjithë ato jetë të shuara.
Duraku: Sic e deshti Lirinë ashtu edhe shkoj për Liri
“Ky është varri i djalit, kjo datë është shumë e rëndësishme për ne. Se 17 vjet i ka pasur por shumë ka qenë i dhënë për liri por si e dashti lirinë edhe shkoj për liri…. Shumë ka pas dëshirë të jetë ushtar, shkoj të shkruhet por ata nuk e pranuan se i ri edhe i mbajti disa shenja çka janë ato të UÇK-së, plot gjepat dhe e kanë nda në fshat, ka qenë një grupi kur ja kanë kërkuar letërnjoftimin ky menjëherë ia ka dhënë. I kanë thënë ti UÇK, një i katundit, baca Sinan ka qenë, ka thënë çfarë UÇK ky është i ri, veç me një pëlumb edhe e kanë shtri”, ka rrëfyer ajo.
Kujtimet për djalin e përcjellin kudo. Asnjëherë nuk do ta fal agresorin që shkaktoi tërë këto dhimbje mbi popullatën e pafajshme.
Duraku: Kemi shumë dhimbje, humbja e djalit qenka e rëndë
“Shumë dhimbje, jo vetëm kjo datë po sa herë zgjohem në mëngjes e çfarë të ha e çfarë të pi, evladi koka shumë e rënë”, tha ajo.
Me qindra familjarë e qytetarë kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial të Krushës së Madhe, ku prehën trupat e gjithë atyre që u vranë e masakruan.
Pothuajse të gjithë me lot në sy, e me lule për të nderuar martirët të rënë për liri.
Në mesin e tyre është edhe djali i vëllait të tetëdhjetë e dy vjeçarit, Shefki Hoti, i cili ka edhe rreth 20 familjarë të vrarë.
Hoti: Lutemi që kurrë mos t’i përjetojmë më
“Gjithë në vaj jemi, gjithë tu kajt, zemra po na qan, se na kanë shku shumë të rinj. Edhe 64 janë ende pa u gjet. Çka me i thënë kësaj jete, deri kur të hyjmë përfundi dërrasave ne si harrojmë, por lutem më kurrë si përjetojmë kështu…gjithë na kujtohet kjo datë, gjithë tu qajt, gjithë në dhimbje. Krejt këta që i shohësh duke qajtur janë, nëna, pleq, të rinj krejt duke qajtur janë”, thotë ai.
Krusha e Madhe ka përkujtuar sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbë.
Më 25,26 dhe 27 mars të vitit 1999 në Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona. Në mesin e tyre edhe sot për 64 persona nuk dihet fati i tyre.
Në Krushë të Vogël sot është rivarrosur Ajvaz Shehu i cili 27 vjet më parë ishte zhdukur. Eshtrat e tij janë gjetur në Shirokë para tetë vitesh, por ai nuk arriti aso kohe të rivarroset për shkak se nëna e tij kurrsesi nuk ishte pajtur me faktin se këto eshtra përkojnë me trupin e djalit të saj.
