Lajme

Si e pritën banorët në Panorc aktakuzën ndaj personit që kreu tortura e arrestime në vitet 98/99

Në Luginën e Vrelës në Panorc të Malishevës qindra civil shqiptarë në këtë vend të strehuar u arrestuan nga Policia Serbe si dhe u maltretuan më pas edhe në shkollën e këtij fshati.

Ata qëndruan në këtë vend për një ditë e një natë.

Ndërsa torturat aty, u bënë edhe më të ashpra.

“Nëpër dhoma të mësimit të shkollës kemi dëgjuar britma, zhurma duke i rrahur milicia serbe qytetarët e pafajshëm civil”, thotë Ahmet Rexha ish-komandant Togu.

Por maltretimet nga forcat serbe në këtë fshat u përsëritën edhe në vitin 1999.

“Ka pasë djegie të shtëpive, maltretim i qytetarëve ka qenë vet prezenca e tyre”, thotë Rexha.

Andaj Rexha e ka mirëpritur aktakuzën e ngritur të martën nga Prokuroria Speciale ndaj të dyshuarit me iniciale S.L, për shkak të dyshimit për krime lufte kundër popullsisë civile.

“Unë ndihem shumë mirë, me mujt me i zënë ata me i arrestu e me i burgosë e me u hakmerrë ndaj tyre. Mirëpo të them të drejtën ne nuk jemi të kënaqur, senet janë t’u shku jo mirë. Në vend që me u dënu armiku, dmth ata si okupatorë, po dënohemi ne që e kemi mbrojtë pragun e shtëpisë”, tregon Rexha.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari akuzohet se ka kryer arrestime të kundërligjshme, tortura fizike dhe psikologjike të rreth 500 qytetarëve që nuk ishin të përfshirë në luftë, dëbime masive të popullatës shqiptare, shkatërrim të pronave dhe plaçkitje.