Lajme

Si erdhi deri të shembja e fasadës së ndërtesës në Fushë Kosovë?

Kati i sipërm të hënën kishte pamje tjetër.

Kjo meqë, një pjesë e fasadës mbrëmjen e së dielës, përfundoi në tokë.

E si pasojë, një person mori lëndime dhe një veturë u dëmtua.

E gjithë ngjarja ndodhi në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovës.

Shkaktar i kësaj, ishin erërat e së dielës.

Kjo bëri që të aktivizohet edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Prokurori i shtetit është njoftuar lidhur me këtë rast dhe në bashkëpunim te ngushtë me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë te gjitha veprimet fillestare për përcaktimin nëse është kryer ndonjë vepër penale. Prokurori i shtetit ka autorizuar edhe Inspektoret e punës qe te dalin për te vlerësuar aspektet teknike te ndërtesës”, ka thënë Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë.

Meqë ishte ditë pushimi, të dielën këtu, nuk ishin të pranishëm fëmijët që janë pjesë e këtij kopshti.

Ndërsa pronari i objektit, nuk ka pranuar të flas para kamerës.

Por, prapa saj, fajtore e ka lënë kompaninë që e punoi fasadën.
E nga Komuna e Fushë Kosovës kanë thënë se do të ndërmarrin masa të nevojshme.

“Më 26.01.2026 është realizuar një vizitë kontrolluese shtesë për të vlerësuar nëse objekti paraqet rrezik të mëtejmë për sigurinë publike. Drejtoria për Inspektorat ka vepruar në përputhje me kompetencat ligjore, me fokus eliminimin e rrezikut potencial dhe mbrojtjen e banorëve e kalimtarëve në zonë. Institucionet komunale do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë publike, për këtë rast do të procedohet me hapat e tjerë sipas ligjeve ne fuqi” ka thënë Durim Hajra – drejtor i Inspektoratit në Komunën e Fushë – Kosovës.

Por, a janë të zakonshme këto raste kur ka erëra të forta?

“Ajo nuk është dashtë me ndodhë një erë e lehtë nuk është arsyeje për me ra fasada, fasada duhet me u ekzekutua dhe me u kap për strukturën e objektit për me qëndrua edhe vebrimeve qoftë edhe tërmeteve që janë shumë më të fuqishme e një erë e lehtë nuk është arsyeje. Kjo është një defekt apo mos realizim i duhur i punimeve ose edhe mbikëqyrjeve të personave përgjegjës”, shprehet Arsim Rapuca – kryetar i Odës së Inxhinierëve.

Ai tregon se kush është fajtor në këto raste.

“Duhet të analizohet projekti kryesor me të cilën është marrë leja ndërtimore sepse në projektin duhet të specifikohen gjitha detajet për ekzekutimin e asaj fasade mandej inxhinieri apo kompania ekzekutuese madje edhe organi mbikëqyrës por edhe inspektoratet sepse inspektorët e kanë obligim të monitorojnë nëse ekzekutuesi i punimeve ka kompani mbikëqyrëse, pra është një hallkë e përgjegjësive”, shprehet Rapuca.

Ndryshe, personi i lënduar në këtë rast, ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën e Kryesore të Mjekësisë Familjare në fushë Kosovë.

Të Ngjashme