LifeStyle

Si komunikojnë qentë me ne?

Qentë zakonisht përdorin gjuhën e shenjave të trupit të tyre për të treguar se si ndjehen. Sa më mirë ta njihni qenin tuaj aq më mirë do të interpretohet se çfarë ai po thotë nëpërmjet sjelljes së tij.

Çdo dashamirës i qenve e di mirë se si “miku më i mirë i njeriut” shpreh gjendjet e tij shpirtërore. Veshë të puthitur mirë pas kokës, gjendje të ashpër dhe bishtin drejt do të thotë: Mos më bezdis. Veshë të ngritur, trupin në lëvizje dhe lëvizja e bishtit pa pushim do të thotë: Sa i lumtur jam që të shoh.

Përveç këtyre karakteristikave, kohët e fundit është zbuluar edhe një tjetër karakteristikë e gjuhës së qenit, e cila ndoshta mund t‘i habisë pa masë padronët e tyre më të kujdesshëm. Kur qeni është i vëmendshëm kundrejt diçkaje apo dikujt, do lëvizë bishtin më djathtas, ndërsa kur do ta zhvendosë atë majtas, nuhat diçka negative.

Studimi që përshkruan këtë fenomen është publikuar në revistën “Current Biology” dhe titullohet “Lëvizja asimetrike e bishtit te qentë u përgjigjet stimujve të ndryshëm emotivë” dhe autorët e tij janë disa shkencëtarë të Universitetit të Triestes dhe dy veterinerë të Universitetit të Barit.

“Është një studim intrigues edhe pse lidhet me një numër të madh kërkimesh, të cilat tregojnë ekzistencën e një asimetrie emocionale në tru”, thotë njëri nga studiuesit, Richard J. Davidson, në Universitetin e Wisconsin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kërkimet kanë treguar se në pjesën më të madhe të kafshëve, te zogjtë, hemisfera e majtë e trurit specializohet në ato sjellje që shkencëtarët e përcaktojnë si afrim dhe akumulim energjetik. Te njerëzit, kjo do të thotë se hemisfera e majtë u është bashkangjitur ndjenjave pozitive si dashuria, ndërsa hemisfera e djathtë specializohet në sjelljet e “distancimit” si frika dhe depresioni.

Që nga momenti që hemisfera e majtë kontrollon pjesën e djathtë të trupit, ndërsa hemisfera e djathtë kontrollon pjesën e majtë, këto asimetri shfaqen edhe vetëm në dy pjesët e tjera të trupit. “Bishti i qenit është shumë interesat, thotë Davidson, pikërisht sepse gjendet në pozicionin qendror të trupit, nuk është as nga e majta e as nga e djathta”. Në këtë rast, asimetria emocionale ekziston, apo jo?

Për ta zbuluar këtë, shkencëtarët kanë rekrutuar 30 qenë shtëpie të racave të ndryshme, duke i lidhur në një kafaz të pajisur me telekamera, që regjistrojnë me përpikëri lëvizjen e bishtave të tyre. Kështu, shkencëtarët i përballën me katër stimuj të ndryshëm emotivë: padronin e tyre, një njeri të panjohur, një maçok dhe një qen të panjohur shtëpiak. Çdo herë, personi ose kafsha i shfaqej qenit për një minutë, me një pushim 90 sekondash ndërmjet shfaqjeve.

Eksperimentimi vazhdoi për 25 ditë, me 10 seanca në ditë. Kur qentë shihnin padronët e tyre, lëviznin bishtin vrullshëm të spostuar nga ana e djathtë. Kur shihnin një person të panjohur, lëviznin bishtin mesatarisht edhe në këtë rast më shumë nga e djathta se sa nga ana e majtë. Duke parë macen, qentë tundnin bishtin më shumë djathtas se majtas, por me një kënd më të zvogëluar. Kur gjendeshin përballë një qeni të panjohur dhe agresiv, një pastor i madh belg Malinois, tundja ishte e spostuar totalisht nga e majta.

Konkluzioni, thotë njëri prej shkencëtarëve, është se kur qentë tërhiqen nga diçka, qoftë edhe nga një mace e qetë dhe miqësore, e tundin bishtin nga e djathta, ndërsa kur kanë frikë, bishti i tyre lëviz majtas. E gjithë kjo tregon se muskujt e pjesës së djathtë të bishtit pasqyrojnë emocione pozitive, ndërsa muskujt e pjesës së majtë shprehin emocione negative.

Disa kërkues thonë se asimetria cerebrale është një fenomen që karakterizon vetëm qeniet njerëzore (për shkak të evolucionit të gjuhës në hemisferën e majtë), por kohët e fundit janë zbuluar asimetri analoge edhe tek ato qenie të cilat janë përcaktuar si krijesa të lehta, thotë Lwsley Rogers, neuro-shkencëtare e universitetit “New England” në Australi. Kameleonët meshkuj tregojnë një agresivitet më të madh, të shprehur nga ngjyra e lëkurës, kur shikojnë një kameleon tjetër me syrin e majtë.

Një bretkosë do të largohet më shpejt se një grabitqar që hyn në pamjen e tij vizive të majtë (hemisfera e djathtë/frikë). E njëjta bretkosë, kur bëhet fjalë për të kapur një karkalec, do të preferojë të zgjedhë gjuhën në anën e djathtë të tij (hemisfera e majtë/ushqimi). Dhe zogjtë? Preferojnë të përdorin syrin e majtë për të kërkuar ushqim dhe syrin e djathtë për të qenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve që mund të rrezikojnë jetesën e tyre.

Qentë nuk flasin, por me lëvizjet e tyre ata mund të komunikojnë në mënyrë të shkëlqyer me njerëzit.