Kuriozitete

Si lindi ‘vakti i mëngjesit’?/ ‘Nga buka me verë te drithërat moderne’

Koncepti i mëngjesit, që sot duket si pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme, ka një histori të gjatë dhe të çuditshme. Historiania e ushqimit Seren Charrington-Hollins thotë se grekët e lashtë ishin të parët që prezantuan idenë e mëngjesit.

Ata nisnin ditën duke ngrënë bukë të zhytur në verë, më pas vijonin me një drekë të thjeshtë dhe mbyllnin ditën me një darkë të pasur.

Fillimisht, mëngjesi nuk ishte për të gjithë. Në fakt, ai ishte një luks i rezervuar për klasat e larta, të cilat kishin kohë dhe mjete për të shijuar një vakt të qetë në mëngjes. Vetëm në shekullin e 17-të, mëngjesi filloi të përhapej si zakon më i gjerë, duke u bërë simbol i statusit për ata që kishin mundësi.

Megjithatë, koncepti modern i tre vakteve në ditë, siç e njohim sot, nuk u konsolidua deri në Revolucionin Industrial në shekullin e 19-të. Atëherë, me vendosjen e orareve të rrepta të punës, mëngjesi mori rolin e një vakti të shpejtë dhe të domosdoshëm për të nisur ditën. Për klasat punëtore, mëngjesi shpesh ishte një copë bukë ose një ushqim i thjeshtë nga shitësit ambulantë, diçka e shpejtë dhe e përballueshme.

Pas Luftës së Parë Botërore, me rënien e disponueshmërisë së ushqimit, ideja e mëngjesit të bollshëm ra nga moda. Në fakt, shumë njerëz filluan ta anashkalonin krejtësisht. Vetëm në vitet 1950, mëngjesi mori formën që njohim sot: drithëra, bukë e thekur dhe reçel – një version shumë më industrial dhe i standardizuar.

Por a është ende kjo mënyra më e mirë për t’u ushqyer? Sot, shkenca sugjeron se mënyra më e shëndetshme për të ngrënë gjatë ditës është të konsumohen dy deri në tre vakte, të përqendruara herët në ditë, me një periudhë të gjatë agjërimi gjatë natës. Konsumimi i më shumë kalorive në mëngjes dhe drekë, dhe shmangia e ushqimit shumë herët në mëngjes apo shumë vonë në darkë, ndihmon në përmirësimin e shëndetit metabolik dhe parandalimin e sëmundjeve si diabeti dhe obeziteti. Syri.net-iefimerida

Të Ngjashme