Shëndetësi

Si mund të ndikojnë produktet e bulmetit te gjumi dhe ëndrrat tuaja

Çarls Dikens, në veprën e tij, e paraqiste Ebenezer Skruxhin duke fajësuar djathin për fantazmën që shihte. Sot, ky mendim gjen mbështetje shkencore: bulmeti në darkë mund të ndikojë te gjumi dhe ëndrrat.

Një studim në Kanada me 1082 studentë zbuloi se 40% e tyre besonin që ushqimi ndikon në gjumë, dhe 20% fajësuan bulmetin. Edhe pse vetëm 5.5% mendonin se ushqimi ndikonte te ëndrrat, përsëri bulmeti doli si një nga shkaqet kryesore, pas ëmbëlsirave.

Studimi shqyrtoi gjithashtu intolerancat ushqimore, frekuencën e maktheve dhe problemet me tretjen. U gjet se ata me intolerancë ndaj laktozës kishin më shumë gjasa të përjetonin makthe, sidomos kur shoqërohej me fryrje apo dhimbje barku. Modelet statistikore sugjerojnë se shqetësimi në stomak mund të ndikojë në ëndrra negative, pasi çrregullon fazat e gjumit dhe rrit hormonet e stresit si kortizoli.

Këto përfundime mbështeten nga studime të mëparshme. Në 2015, një sondazh tregoi se 18% e studentëve lidhnin ushqimin me ëndrrat, me bulmetin në krye. Një tjetër studim online më 2022, me 436 pjesëmarrës, tregoi se ata që konsumonin më shumë sheqer kujtonin më shumë makthe.

Studimi i ri përputhet me literaturën ekzistuese që lidh ushqimin me cilësinë e gjumit. Dietat e pasura me fibra, fruta dhe perime përmirësojnë gjumin, ndërsa ushqimet me yndyrna të ngopura dhe sheqer e përkeqësojnë atë. Gjithashtu, ngrënia vonë në darkë lidhet me cilësi më të dobët gjumi dhe prirje për makthe.

Nëse lidhja midis djathit dhe maktheve konfirmohet nga kërkime të mëtejshme, mund të ndikojë në trajtimin e çrregullimeve të gjumit. Ndërhyrje të thjeshta si ndryshimi i kohës së darkës apo përdorimi i produkteve pa laktozë mund të jenë më të sigurta dhe më të lira se medikamentet.

Megjithatë, studimi ka kufizime. Mostra ishte e re dhe e shëndetshme, dhe të dhënat u bazuan në kujtesën personale. Vetëm 59 persona besonin se ushqimi ndikon te ëndrrat, prandaj rezultatet duhen trajtuar me kujdes.

Derisa të bëhen studime më të kontrolluara, zgjidhjet si darkat më të hershme dhe produktet pa laktozë mbeten alternativa të arsyeshme për një gjumë më të qetë.

Të Ngjashme