ShowBizzz

Si një ngjyrë e vetme përcaktoi karrierën e të madhit Valentino Garavani

Shtëpia e modës Valentino, simbol i luksit dhe elegancës italiane, ka humbur themeluesin e saj. Stilisti i famshëm Valentino Garavani ka ndërruar jetë më 19 janar në moshën 93-vjeçare, siç konfirmoi fondacioni i tij.

“Valentino Garavani ndërroi jetë sot në rezidencën e tij në Romë, i rrethuar nga të dashurit e tij,” thuhet në njoftimin e publikuar në Instagram. Fondacioni e përshkroi atë si “një udhërrëfyes dhe burim të pashtershëm drite, kreativiteti dhe vizioni”.

Trupi i dizajnerit do të ekspozohet në selinë e fondacionit në Romë të mërkurën dhe të enjten, ndërsa ceremonia mortore do të mbahet të premten në kryeqytetin italian.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i bëri homazh stilistit përmes rrjetit social X, duke e cilësuar atë si “mjeshtrin e padiskutueshëm të stilit dhe elegancës” dhe “simbol të përjetshëm të modës së lartë italiane”.

Valentino Garavani, i njohur thjesht si Valentino, themeloi shtëpinë e tij të modës në vitin 1959 dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga emrat më të mëdhenj të industrisë globale të modës. Krijimet e tij u veshën nga ikona si Sophia Loren, Elizabeth Taylor, Jackie Kennedy, Monica Vitti dhe më vonë nga yje si Julia Roberts, Penelope Cruz dhe Princesha Diana.

Image

Ngjyra e kuqe u bë shenja dalluese e Valentinos. E njohur sot si “Valentino Red”, kjo nuancë u kthye në një simbol botëror të markës dhe u njoh zyrtarisht nga Pantone.

Valentino qëndroi në krye të modës për më shumë se 45 vjet, deri në tërheqjen e tij në vitin 2007, pas një sfilate përmbyllëse ku çdo modele ishte veshur me të kuqe. Në vitin 1998, ai dhe partneri i tij Giancarlo Giametti shitën kompaninë për rreth 300 milionë dollarë. Sot, marka Valentino është në pronësi të fondit Mayhoola të Katarit, ndërsa grupi Kering zotëron 30 për qind të aksioneve.

I lindur në vitin 1932 në Voghera, pranë Milanos, Valentino u frymëzua që herët nga arti dhe opera, përvoja që ndikuan thellë në estetikën e tij. Ai u formua profesionalisht në Paris, duke punuar me emra të mëdhenj si Jean Dessès, Christian Dior dhe Guy Laroche.

Jeta dhe karriera e tij nuk ishin pa polemika, veçanërisht për qëndrimet e forta mbi bukurinë, elegancën dhe veshjen, por ndikimi i tij në modën botërore mbetet i pakontestueshëm.

Image

Trashëgimia e Valentino Garavanit do të vazhdojë të jetojë përmes krijimeve të tij ikonike dhe ndikimit të thellë që la në modën e shekullit XX dhe XXI.

Të Ngjashme