Prej dekadash, psikiatrit besonin se fëmijët me çrregullimin e vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD) thjesht duhej të prisnin moshën madhore për ta kapërcyer si gjendje. Por prova të reja tregojnë të kundërtën. Ndërsa rreth shtatë milionë fëmijë amerikanë kanë ADHD, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportojnë se 15.5 milionë të rritur amerikanë vuajnë gjithashtu nga ky çrregullim, dhe rreth gjysma e tyre janë diagnostikuar vetëm në moshë madhore.
ADHD tek të rriturit shpesh shfaqet ndryshe, sepse të rriturit janë më të aftë t’i fshehin simptomat. Fëmijët mund të lëvizin pa pushim në klasë, ndërsa të rriturit ndihen të paduruar në semaforë apo priren të ndërpresin të tjerët gjatë bisedave. Siç shpjegon Jill RachBeisel, profesore psikologjie në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it, manifestimet ndryshojnë, por vështirësitë themelore mbeten. Ndërsa tiparet hiperaktive zakonisht zbuten me moshën, ato të shpërqendrimit shpesh vazhdojnë.
Rritja e numrit të të rriturve të diagnostikuar lidhet pjesërisht me ndërgjegjësimin më të madh dhe me faktin që shumë persona të padiagnostikuar më parë tani kërkojnë ndihmë. ADHD-ja është një çrregullim neurozhvillimor, kryesisht me bazë gjenetike, megjithëse faktorët mjedisorë gjatë shtatzënisë mund të luajnë një rol.
Disa studiues sugjerojnë se teknologjia mund të përkeqësojë ose të shkaktojë simptoma të ngjashme. Njerëzit sot detyrohen të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht dhe përballen me stimuj të vazhdueshëm teknologjikë, çka mund të çojë në varësi nga ekrani. Megjithatë, kërkimet nuk janë përfundimtare, edhe pse studime të shumta kanë gjetur lidhje midis kohës së gjatë para ekranit dhe simptomave të ADHD-së në të gjitha grupmoshat.
ADHD-ja shpesh shfaqet bashkë me çrregullime të tjera, gjë që e vështirëson diagnostikimin. Stresi, efektet anësore të medikamenteve, mungesa e gjumit, ankthi, depresioni, apnea e gjumit dhe problemet me tiroiden mund të imitojnë simptomat e ADHD-së. Gratë përbëjnë një grup veçanërisht të padiagnostikuar, shpesh u përshkruhen antidepresantë ose ilaçe kundër ankthit, kur në fakt kanë ADHD. Ndryshimet hormonale që lidhen me menstruacionet ose menopauzën mund të nxjerrin në pah simptoma të fshehura.
Psikiatrit kërkojnë shenja të pranishme që para moshës 12 vjeç, edhe nëse nuk janë vërejtur më parë. Fëmijët që nuk përballen me vështirësi të mëdha mund të kalojnë pa u vënë re, veçanërisht ata që janë të shpërqendruar por jo të zhurmshëm në klasë. Rutina e rregullt, mbështetja e prindërve dhe aktivitetet e strukturuara mund t’i fshehin simptomat derisa personi të arrijë moshën madhore, kur ky strukturim zhduket. RachBeisel thekson se kur të rinjtë largohen nga shtëpia, mund të hasin vështirësi ose të duhet të punojnë shumë më tepër se bashkëmoshatarët për të arritur të njëjtin sukses.
Lajmi i mirë është se ADHD-ja trajtohet me shumë sukses kur diagnostikohet siç duhet. Trajtimet përfshijnë medikamente ose terapi si ajo e sjelljes njohëse (CBT). Një vlerësim i plotë profesional është thelbësor, pasi simptomat zakonisht kanë qenë të pranishme që në fëmijëri.
John Ratey, psikiatër në Shkollën Mjekësore të Harvardit, thekson se megjithëse ADHD-ja sjell sfida, ajo gjithashtu sjell dhurata, përfshirë kreativitetin, entuziazmin, kureshtjen dhe aftësinë për t’u përqendruar intensivisht në projekte interesante. “Gjithçka ka të bëjë me gjetjen e punës së duhur, miqve të duhur dhe partnerit të duhur që ta ndihmojnë trurin me ADHD të shfrytëzojë pikat e tij të forta dhe të arrijë lart.” / National Geographic – Syri.net
