Nga pasarelat e modës deri te rrugët e qyteteve dhe postimet më trendi në rrjetet sociale, fustani ‘slip’ vazhdon të mbetet një klasik i preferuar veror. I njohur për linjat e tij të thjeshta dhe elegancën e natyrshme, ky model i frymëzuar nga këmishët e natës është një ndër më të kërkuarit në çdo gardërobë femërore.
Qoftë në një variant luksoz prej sateni, me detaje vintage si dantella apo në një prerje minimaliste, fustani ‘slip’ është zgjidhja perfekte për ditët e nxehta kur dëshiron të dukesh e kuruar, pa shumë përpjekje. Me ngjyra neutrale si shampanjë apo bezhë, ose nuanca të forta që nxjerrin në pah nxirjen e verës, ky fustan është një bazë ideale për eksperimentim me aksesorë dhe stile të ndryshme.
Koleksionet më të fundit nga emra të njohur të modës si Chloé, The Row dhe Dries Van Noten e kanë kthyer këtë model në një simbol të finesës bashkëkohore. Ja disa nga mënyrat më të bukura për të stiluar fustanin ‘slip’ këtë verë:
1. Fustani ‘slip’ + atlete
Stil urban dhe i rehatshëm. Një fustan sateni i kombinuar me atlete të bardha të thjeshta është kombinimi perfekt për shëtitje në qytet, detyra të përditshme apo udhëtime fundjave. Mjafton të shtosh një çantë të vogël dhe syze të mëdha për të përmbyllur look-un.

2. Fustani ‘slip’ + këmishë sipër

Për një pamje më të relaksuar, por që ruan feminitetin, një këmishë lino, xhins apo pambuku e hedhur sipër fustanit është zgjidhja ideale. Mund ta lësh të hapur për një efekt të lirshëm, ose ta lidhësh në bel për një stil më të kuruar.
3. Fustani ‘slip’ mbi pantallona

Një rikthim në stilin e viteve 2000. Për vajzat që guxojnë të eksperimentojnë, kombinimi i fustanit të hollë me pantallona të gjera apo të lehta krijon një pamje interesante, moderne dhe mjaft ‘fashion-forward’. E përshtatshme për ngjarje mbrëmjeje apo dalje kreative.
4. Fustani ‘slip’ + çizme kauboj


Boho dhe festiv në çdo hap. Çizmet kauboj i japin fustanit një kontrast të veçantë, duke e bërë ideal për festivale verore apo fundjava në natyrë. Kombinoje me një çantë me frëngji dhe një kapele për një pamje boheme të plotësuar.
5. Fustani ‘slip’ + bluzë e shkurtër

Një stil i frymëzuar nga vitet ’90 që kthehet fuqishëm këtë sezon. Vendos një bluzë të thjeshtë me mëngë të shkurtra mbi fustan dhe krijo një pamje komode, nostalgjike dhe mjaft trendi – perfekte për kafe të mëngjesit apo dalje me miq.
Fustani ‘slip’ mbetet një nga investimet më të mira të sezonit: i thjeshtë, por me mundësi pafund kombinimesh. Sepse në fund, stili i vërtetë qëndron në elegancën e pakompromis të thjeshtësisë.
