Studiuesit besojnë se tani e kuptojnë se si rastet e rënda të gripit dëmtojnë zemrën, duke dhënë një shpjegim për rritjen vjetore të sulmeve në zemër gjatë sezonit të gripit.
Udhëheqësi i studimit, Philip Svirski i Shkollës së Mjekësisë Icahn në Spitalin Mount Sinai në Nju Jork, tha në një deklaratë se prej vitesh dihet që frekuenca e sulmeve në zemër rritet gjatë sezonit të gripit, por përtej intuitës klinike, ka pak prova për mekanizmat që fshihen pas këtij fenomeni.Duke studiuar mostrat e indeve nga pacientët e shtruar në spital që vdiqën nga gripi, studiuesit zbuluan se një lloj qelize imune, e njohur si qeliza pro-dendritike 3, infektohet në mushkëri dhe më pas udhëton drejt zemrës, raporton “Reuters”.
Atje, në vend që të bëjë punën e zakonshme të qelizës imune për të hequr virusin, qeliza pro-dendritike 3 prodhon sasi të mëdha të një proteine inflamatore të quajtur interferon tipi 1 (IFN-1), e cila shkakton vdekjen e qelizave të muskulit të zemrës dhe dëmton funksionin e zemrës.
“Qeliza pro-dendritike 3 vepron si një ‘kalë Trojan’ i sistemit imunitar gjatë infeksionit të gripit, duke infektuar mushkëritë, duke e çuar virusin në zemër dhe duke e përhapur atë në kardiomiocite”, tha në një deklaratë bashkautori i studimit Jeffrey Downey, gjithashtu i Spitalit Mount Sinai.Vaksinimi kundër gripit ofron njëfarë mbrojtjeje kundër këtij lloji të dëmtimit të zemrës, raportuan studiuesit në revistën Immunity .
Downey theksoi se në eksperimentet laboratorike, një ilaç i ARNi-së që kontrollon aktivitetin e IFN-1 uli dëmtimin e muskulit të zemrës të shoqëruar me gripin në epruveta dhe te minjtë, dhe përmirësoi aftësinë e muskulit për të pompuar gjak.
Zbulimet e reja “ofrojnë premtime të mëdha për zhvillimin e terapive të reja, të cilat janë urgjentisht të nevojshme sepse aktualisht nuk ka mundësi klinike të zbatueshme për të parandaluar dëmtimin e zemrës” të shkaktuar nga gripi, tha Svirski.
