LifeStyle

Si të përdorni në mënyrën e duhur serumet e fytyrës

Ekziston një ide e gabuar se serumet e fytyrës janë thjesht një version më i shtrenjtë i kremrave hidratues

Çmimi për një paketim është më i lartë se produkti mesatar i kujdesit të lëkurës, por kjo ndodh sepse ato përmbajnë përbërës të koncentruar (dhe efekte më të thella depërtuese).

Megjithatë, pyetja mbetet: çfarë është saktësisht një serum dhe a ia vlen vërtet ta shtoni këtë artikull në rutinën tuaj të kujdesit të lëkurës?

Edhe pse tregu i serumeve është rritur nga viti në vit, me gjeneratën Z në krye (gjenerata e lindur pas vitit 1995), shumë njerëz ende nuk i përfshijnë ato në rutinën e tyre shtëpiake.

Serumin mund ta shihni si tretman; është një produkt që përdorni për të përmirësuar dukjen e përgjithshme të lëkurës suaj.

Përfitimet e serumit të fytyrës

Përbërësit aktivë të serumit mund të sjellin antioksidantë në lëkurë, të ripërtërijnë rritjen e qelizave ose të ndihmojnë në zvogëlimin e madhësisë së poreve. Por ajo që zakonisht nuk bën një serum është hidratimi i lëkurës.

“Kremrat e fytyrës kanë një bazë që i lejon të qëndrojnë në sipërfaqe dhe të hidratojnë lëkurën e jashtme, por serumet kanë një bazë të tretshme në lipide që lejon përbërësin aktiv të depërtojë me të vërtetë në epidermë,” thotë Lawrence Samuels, MD, shef i dermatologjisë në. St. Luke dhe themeluesi i linjës së kujdesit të lëkurës Rx Systems PF.

Pastaj vjen pjesa e vështirë: gjetja e formulës së duhur për llojin tuaj specifik të lëkurës. “Nëse keni lëkurë të prirur ndaj akneve, dy përbërësit më të rëndësishëm do të ishin acidi L-askorbik (që është vitamina C e vërtetë) dhe retinoli”, thotë Dr. Samuels. “Të dy janë antioksidantë që përmirësojnë rritjen e qelizave në shtresën e jashtme të lëkurës”. Nëse keni lëkurë normale, kërkoni për acidet alfa lipoike dhe glikolike në listën e përbërësve të serumit.

Si të përdorni serumin

Për ta aplikuar, përdorni një sasi serumi sa bizelja në fytyrë dhe qafë, duke e aplikuar produktin rreth dy minuta pas pastrimit të fytyrës (jo në lëkurë të lagur). “Qelizat e hidratuara lejojnë që përbërësi aktiv të depërtojë më mirë se qelizat e thata”, thotë Dr. Samuels. Pastaj prisni tre deri në pesë minuta të tjera përpara se të aplikoni kremin tuaj hidratues.

“Hidratuesit ndihmojnë në rindërtimin e proteinës së keratinës në lëkurë, kështu që priren të kenë një pH më të lartë”, thotë ai. “Nëse aplikoni një serum dhe më pas një hidratues menjëherë pas kësaj, mund të ulë pjesërisht efektivitetin e serumit”.

Gjithashtu, është e rëndësishme të përdorni serumet e fytyrës kryesisht gjatë natës, sepse rrezet UV dhe oksigjeni mund të shkaktojnë oksidimin e tyre – një arsye tjetër për t’iu përmbajtur gjithmonë produkteve të mbyllura mirë.