Fjalimi për gjendjen e kombit, fjalimi i prëvitshëm i presidentit të SHBA-së para dy dhomave të Kongresit, ku ai jep mendimin e tij për gjendjen e vendit dhe objektivat ligjore për vitin, është një traditë e njohur dimërore. Edhe pse rrënjët i ka që në themelimin e shtetit, forma që njohim sot është një traditë moderne.
Çfarë është gjendja e kombit?
Neni II, Seksioni 3 i Kushtetutës së SHBA-së thotë se presidenti “herë pas here duhet t’i japë Kongresit informacion mbi gjendjen e kombit dhe të rekomandojë për shqyrtim masa që i konsideron të nevojshme dhe të përshtatshme.”
Sipas Arkivave Kombëtare, George Washington e përmbushi për herë të parë këtë detyrë me 8 janar 1790, kur iu drejtua Kongresit të ri në Sallën e Senatit në Federal Hall në Nju Jork (atëherë kryeqyteti i SHBA-së). Por presidenti i tretë, Thomas Jefferson, zgjodhi ta dërgonte mesazhin e tij vjetor me shkrim, në vend që të shkonte personalisht në Kapitol, duke nisur një traditë që zgjati pothuajse një shekull.
Në vitin 1913, Woodrow Wilson vendosi ta ndryshonte këtë traditë. Pak pas inaugurimit, ai shkoi në Kapitol për të mbajtur një fjalim për tarifat, duke u bërë presidenti i parë që nga koha e John Adamsit që iu drejtua drejtpërdrejt Kongresit. Në dhjetor të atij viti, Wilson u kthye sërish para Kongresit për të mbajtur fjalimin e parë modern për gjendjen e kombit (edhe pse ky emër u përdor zyrtarisht vetëm gjatë presidencës së Franklin D. Roosevelt).
Pushteti ekzekutiv i drejtohet Kongresit
Kushtetuta vendosi ndarjen e pushteteve mes tri degëve të qeverisë federale: legjislativja harton ligjet, ekzekutivja i zbaton dhe gjyqësorja i interpreton dhe i zbaton ato.
Por Wilson, një demokrat progresist, besonte se vendi do të përfitonte nga një president më aktiv dhe më i dukshëm, që punon ngushtë me Kongresin në procesin e hartimit të ligjeve. Duke zgjedhur ta mbante personalisht mesazhin e tij të përvitshëm, ai kërkoi të ripërkufizonte rolin e presidentit.
Që nga koha e Wilson-it, presidentët zakonisht i janë drejtuar drejtpërdrejt Kongresit, megjithëse ndonjëherë disa kanë zgjedhur formën e shkruar. Me ardhjen e radios, televizionit dhe internetit, fjalimi i presidentit mbi gjendjen e kombit është kthyer në një mundësi të madhe për presidentin që t’u flasë drejtpërdrejt qytetarëve amerikanë, duke theksuar arritjet dhe duke paraqitur prioritetet për të ardhmen.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe gjendja e kombit
Kushtetuta nuk përmend degën gjyqësore kur flet për detyrën e presidentit për të informuar Kongresin. Megjithatë, është bërë zakon që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të jenë të pranishëm në sallë, të veshur me rrobat e tyre zyrtare të zeza.
Jo të gjithë gjyqtarët e kanë ndjekur këtë zakon. Antonin Scalia (i cili vdiq në vitin 2016) ndaloi së marri pjesë në vitin 1997, duke e quajtur ngjarjen “një spektakël fëminor.” Clarence Thomas gjithashtu zakonisht mungon. Samuel Alito nuk ka marrë pjesë që nga viti 2010, kur shprehu pakënaqësi ndaj kritikave të presidentit Barack Obama për një vendim të debatueshëm të gjykatës.
Protokolli i fjalimit të presidentit mbi gjendjen e kombit
Presidenti nuk paraqitet thjesht për të mbajtur fjalimin. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve i dërgon një ftesë zyrtare me shkrim për t’u paraqitur para dy dhomave të Kongresit. Presidenti udhëton nga Shtëpia e Bardhë në Kapitol me autokolonë dhe hyn në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve, ku e presin anëtarët e Kongresit, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e kabinetit, trupi diplomatik dhe të ftuar të tjerë.
Pasi njoftohet hyrja e tij, presidenti mban fjalimin, ndërsa pas tij ulen zëvendëspresidenti dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve. Gjatë dhe pas fjalimit, zakonisht anëtarët e partisë së presidentit ngrihen dhe duartrokasin, ndërsa opozita qëndron e ulur në heshtje.
Në fund të çdo fjalimi, presidenti zakonisht e mbyll me fjalinë e njohur: “Gjendja e kombit është e fortë.” / History -Syri.net

