LifeStyle

Sia-n nuk e do më, por stilin e jetesës ia lakmon! Çudia me ish-burrin e këngëtares

Pas një martese të shkurtër, por me jetë luksoze, këngëtarja australiane Sia po përballet me një kërkesë të pazakontë nga ish-bashkëshorti i saj.

Daniel Bernard, një ish-mjek, kërkon mbi 250 mijë dollarë në muaj si pension ushqimor, duke pretenduar se është bërë financiarisht i varur nga artistja e famshme dhe se i nevojiten fondet për të ruajtur jetën e shtrenjtë që kishin ndarë së bashku.

Sia Furler, e njohur për hitet si Chandelier dhe Titanium, kërkoi zyrtarisht divorcin nga Daniel Bernard në muajin mars, duke përmendur “mospajtime të papajtueshme” si arsye për ndarjen.

Në dokumentet gjyqësore, Bernard, një ish-mjek shprehet se ka nevojë për këtë shumë mujore për të ruajtur “stilin e jetesës luksoze dhe të klasës së lartë” që kishte gjatë martesës me këngëtaren.

Ai deklaron se është bërë “financiarisht i varur nga Sia”, pasi kishte lënë punën e tij për të hapur një biznes të përbashkët mjekësor, i cili zgjati pak. Sipas dokumenteve, çifti, që u martua në dhjetor të vitit 2022 dhe kanë një djalë 18 muajsh, shpenzonte mbi 400 mijë dollarë në muaj për udhëtime me avionë privatë, pushime, restorante luksoze dhe staf të përhershëm.

“Nuk kishim kurrë nevojë të kontrollonim shpenzimet tona”, shkruan ai në një deklaratë.

Bernard, 47 vjeç, argumenton se ndihma e përkohshme financiare është “e nevojshme”, pasi Siaishte “burimi kryesore i të ardhurave në martesën tonë”.

Ish-onkolog me profesion, Bernard shton se i duhen disa vite trajnimi dhe kalimi i disa provimeve për të rikthyer licencën dhe për të ushtruar sërish profesionin e tij.

Ai ka kërkuar gjithashtu pagesa shtesë për të përballuar shpenzimet ligjore dhe ato të auditimit financiar. Përfaqësuesit e këngëtares nuk kanë komentuar ende në lidhje me çështjen.

Të Ngjashme