Kuriozitete

Sibolika e pranverës – 5 tradita mbresëlënëse të Pashkëve nga e gjithë bota që mund të mos i keni ditur

Disa nga zakonet më të njohura të Pashkëve shkojnë përtej kufijve fetarë dhe lidhen fort me simbolikën e pranverës dhe rilindjes së natyrës. Figura e lepurit të Pashkëve, që u shfaq në shekullin e 18-të, si dhe vezët e dekoruara apo prej çokollate, përfaqësojnë jetën e re pas dimrit.

Megjithatë, përtej këtyre simboleve universale, çdo vend ruan traditat e veta unike që i japin kësaj feste një karakter të veçantë. Nga ritualet e lashta në Evropë deri te festivalet moderne në anën tjetër të botës, Pashkët festohen në mënyra të ndryshme, por gjithmonë me një ndjenjë gëzimi dhe bashkimi.

Në Gjermani, një nga traditat më të veçanta është “Ostereierbaum”, ose pema e vezëve të Pashkëve. Kjo traditë shekullore konsiston në dekorimin e pemëve dhe degëve me vezë shumëngjyrëshe të lyera. Edhe pse origjina e saj nuk dihet saktësisht, ajo vazhdon të jetë një simbol i bukur i pranverës dhe krijon pamje mbresëlënëse në shumë qytete dhe fshatra.

Në Itali, Pashkët marrin një dimension të veçantë për shkak të Vatikanit. Mijëra besimtarë dhe turistë mblidhen në Bazilikën e Shën Pjetrit për të ndjekur meshën e udhëhequr nga Papa. Ndërkohë, në Firence zhvillohet një traditë mbi 900-vjeçare e quajtur “Scoppio del Carro”. Pas meshës, ndizet një strukturë druri e mbushur me fishekzjarre, duke krijuar një spektakël të jashtëzakonshëm.

Në Zelandën e Re, festimet marrin një formë më moderne. Në Auckland organizohet Shfaqja Mbretërore e Pashkëve, një festival i madh familjar që ka nisur si panair rural në vitin 1843. Sot ai përfshin lojëra, shfaqje, cirk, fishekzjarre dhe aktivitete të shumta që ruajnë lidhjen me traditat e vendit.

Në Peru, Java e Shenjtë, e njohur si “Semana Santa”, është një përzierje e elementeve katolike dhe atyre para-kolumbiane. Festimet janë intensive dhe plot ngjyra, me procesione të shumta dhe aktivitete fetare që tërheqin vizitorë nga e gjithë bota. Qyteti i Cusco-s është një nga qendrat kryesore të këtyre festimeve, ku përveç ritualeve, rrugët mbushen edhe me ushqime tradicionale.

Ndërkohë, në Spanjë, Java e Shenjtë konsiderohet ndër më spektakolaret në Evropë. Qytete si Sevilja dhe Zaragoza janë të njohura për festimet e tyre madhështore. Karrocat e dekoruara me detaje, shoqërohen nga mijëra besimtarë dhe spektatorë, duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse.

Këto tradita tregojnë se, pavarësisht dallimeve kulturore, Pashkët mbeten një festë që bashkon njerëzit përmes simbolikës së shpresës, rilindjes dhe besimit.

Të Ngjashme