Shëndetësi

Simptomat depresive u shtuan tek të rriturit në SHBA gjatë pandemisë

Një studim i publikuar më 5 maj në JAMA Internal Medicine tregon se simptomat depresive janë shtuar ndjeshëm te të rriturit në Shtetet e Bashkuara gjatë pandemisë.

Studiuesit nga Beth Israel Deaconess Medical Center, të udhëhequr nga dr. Kosuke Inoue, analizuan të dhënat nga 23,040 të rritur të moshës 20 vjeç e lart të mbledhura nga Anketa Kombëtare e Shëndetit dhe Ushqyerjes (NHANES) gjatë periudhës 2013–2023.

Gjetjet tregojnë se prevalenca e simptomave depresive është rritur nga 8.2% para pandemisë (2013–2020) në 12.3% gjatë periudhës 2021–2023, me një rritje të rregulluar prej 3.5 pikë përqindjeje. Rritja më e madhe u shënua tek të rinjtë e moshës 20 deri në 44 vjeç, me 6 pikë përqindjeje, krahasuar me vetëm 1.1% te të moshuarit mbi 65 vjeç.

Studimi nuk gjeti dallime të rëndësishme në rritjen e simptomave depresive në bazë të gjinisë, racës, etnisë apo të ardhurave.

Autorët theksojnë se kjo rritje e barrës së shëndetit mendor nënvizon nevojën për qasje më të mirë në kujdesin psiko-social, përfshirë përforcimin e fuqisë punëtore në shëndetin mendor dhe nxitjen e përfshirjes së profesionistëve të shëndetit mendor në skemat e sigurimit shëndetësor. / US News – Syri.net

Të Ngjashme