Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e Qeverisë së Kosovës që siguron 4 milionë euro mbështetje për Luginën e Preshevës për vitin 2026.
Sinani theksoi se kjo rritje e fondeve është rezultat i kërkesës institucionale të komunës dhe reflekton një vendimmarrje konkrete, duke dëshmuar partneritet të qëndrueshëm dhe përkushtim ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Falë kësaj mbështetjeje, hapen mundësi të reja zhvillimi në arsim, kulturë, ekonomi dhe ruajtje të identitetit kombëtar,” tha Sinani, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve për komunitetin lokal.
Ky vendim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve jetësore dhe në zhvillimin e projekteve që fuqizojnë identitetin dhe mirëqenien e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kujtojmë se qeveria e Kosovës ka mbështetur Luginën e Preshevës me fonde të veçanta edhe në vitet e mëparshme. Në vitin 2022, për herë të parë u vendos një fond shtetëror prej 2 milionë eurosh, duke krijuar një linjë buxhetore, e cila këtë vit arrin në 4 milionë euro.
