2
Kryetari i Asosacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional pas vlerësimeve serioze të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në disa komuna të vendit.
“Gjatë ditës së sotme isha në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të Gjakovës, Drenasit, Malishevës, Deçanit, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Junikut dhe komunave të tjera të prekura nga vërshimet. Nga informacionet e pranuara dhe vlerësimet në terren, dëmet janë serioze, si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe në mënyrë shumë më shqetësuese për infrastrukturën publike.”, theksoi ai.
Situata më alarmante sipas kryetarit të AKK është në komunën e Malishevës, ku diga në lumin Mirusha ndodhet në gjendje shumë të keqe dhe paraqet rrezik serioz për qytetarët dhe pronën publike.
“Situata në komunën e Malishevës, në lumin Mirusha, është alarmante. Diga është në gjendje shumë të keqe dhe paraqet rrezik serioz, duke kërkuar intervenim të menjëhershëm, profesional dhe urgjent. Çdo vonesë rrit rrezikun për qytetarët dhe pronën publike.”, ka deklaruar ai për IndeksOnline.
Ai theksoi nevojën për themimin e Fondit Emergjent për Komuna, si një mekanizëm i përhershëm që u mundëson komunave reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore.
“Si AKK kemi kërkuar dhe kërkojmë themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm që u mundëson komunave reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore. Njëkohësisht, kërkojmë eliminimin e burokracisë së panevojshme në procesin e rimbursimit të dëmeve, e cila po i penalizon qytetarët dhe komunat.”, deklaron Ibrahimi.
Ibrahimi përmendi se komunat kanë intervenuar me mjete vetanake për menaxhimin e situatave emergjente, por ekonomitë familjare dhe bizneset nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë e viteve të kaluara. Një shembull konkret është komuna e Drenasit, ku nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë ura, të cilat ende nuk janë riparuar.
“Nëse kuvendet komunale, mbi bazën e vlerësimeve profesionale të komisioneve komunale, miratojnë vendime për dëmet dhe kompensimin, atëherë niveli qendror duhet t’i ekzekutojë këto vendime. Në rast se niveli qendror nuk u beson këtyre vlerësimeve, atëherë le të formojë komisione vlerësuese nga niveli qendror, por vlerësimet e tyre duhet të ekzekutohen, e jo të mbesin peng i procedurave burokratike që zgjasin me vite.”, thotë ai.
Kryetari i AKK theksoi se situata aktuale është e papranueshme dhe ka kërkuar ndryshime urgjente në mekanizmat e kompensimit, në mënyrë që qytetarët dhe komunat të mos mbajnë barrën financiare të fatkeqësive natyrore për vite të tëra.


