Lajme

S’kalon rezoluta e LDK-së për çmimin e naftës

Deputetët e Kuvendit nuk e kanë miratuar rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila kishte për qëllim lehtësimin e barrës financiare për qytetarët përmes uljes së çmimeve të karburanteve.

Rezoluta u hodh në votim gjatë seancës plenare, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme nga deputetët për t’u miratuar.

“Rezoluta parashihte uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.”

Përfaqësues të LDK-së kanë theksuar se mosmiratimi i kësaj rezolute do të ndikojë negativisht tek qytetarët dhe bizneset, të cilat tashmë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve.

Ndërkohë, deputetët që votuan kundër nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me arsyet e refuzimit, ndërsa debati për çmimet e larta të karburanteve pritet të vazhdojë edhe në seancat e ardhshme.

Të Ngjashme