Lajme

Skandali Lajçak–Epstein trazon diplomacinë: Muçiqi shpërthen ndaj ndërmjetësve që…!

Miroslav Lajçak po largohet nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, pasi emri i tij u përmend sërish në dokumente të lidhura me Jeffrey Epstein; Robert Fico ka konfirmuar se do ta pranojë dorëheqjen.

E pikërisht Miroslav Lajçak ishte ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi.

Gazetari Ismail Muçiqi kritikon diplomatët evropianë dhe amerikanë për keqmenaxhimin e procesit të Kosovës, duke thënë se ata shpesh kanë favorizuar Serbinë.

Sipas tij, mungesa e integritetit të tyre po vërtetohet sot edhe përmes skandaleve dhe keqpërdorimeve të fondeve të BE-së.

“Koha po dëshmon se fati i Kosovës, proceset e saj integruese në Bashkimin Evropian, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, janë menaxhuar për vite me radhë nga diplomatë që nuk ishin as të denjë dhe as të besueshëm për të zgjidhur një çështje kaq të ndjeshme dhe komplekse. Është me rëndësi të theksohet se një pjesë e këtyre diplomatëve, duke filluar nga Escobar, Mogherini, Lajçak dhe disa prej asistentëve të tyre, në emër të diplomacisë evropiane – e herë pas here edhe asaj amerikane – erdhën në Kosovë me një qasje që në praktikë shpesh i shërbeu Serbisë agresore, e cila i shkaktoi Ballkanit katër luftëra shkatërruese.

Se këta diplomatë nuk kishin dinjitet dhe integritet të mjaftueshëm profesional, sot po dëshmohet edhe përmes aferave dhe skandaleve që kanë shpërthyer lidhur me veprimtarinë e tyre politike, përfshirë edhe keqpërdorime të fondeve të Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Muçiqi akuzon Mogherinin dhe Lajçakun për qasje të njëanshme në dialogun Kosovë–Serbi, duke thënë se ata favorizuan Serbinë dhe dëmtuan interesat e Kosovës, ndërsa sot po përballen edhe me skandale që cenojnë kredibilitetin e tyre.

“Ish-diplomatja e BE-së, Federica Mogherini, ishte ajo që për vite me radhë e mbajti peng dialogun Kosovë–Serbi përmes oportunizmit, hileve diplomatike dhe qëndrimeve të njëanshme, të cilat në shumë raste favorizuan Vuçiqin dhe Qeverinë e Serbisë. Poashtu, edhe ish-diplomati Miroslav Lajçak po përballet me afera dhe skandale që rëndojnë mbi figurën e tij publike.

Gjatë procesit të dialogut, ai haptazi u percaktua si i njëanshëm, duke mbajtur qëndrime që e vendosnin Serbinë në pozitë të favorshme ndaj Kosovës. Këto janë vetëm disa nga faktet dhe argumentet që dëshmojnë se, historikisht, fuqitë e mëdha – përmes përfaqësuesve të tyre diplomatikë – shpesh e kanë dëmtuar Kosovën dhe, në përgjithësi, fatin e kombit shqiptar”, deklaron ai.

Sipas Muçiqit, zhvillimet e fundit tregojnë se Kurti kishte të drejtë në qëndrimin e tij parimor, ndërsa kritikat ndaj Qeverisë nga media dhe pseudo-analistë rezultojnë të pabazuara. Ai vlerëson se Osmani dhe Kurti e kanë mbrojtur si duhet interesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Nëse i rikthehemi presioneve diplomatike dhe mënyrës se si u zhvillua dialogu nën ndërmjetësimin e këtyre figurave, del qartë se Kryeministri Albin Kurti kishte të drejtë në qëndrimin e tij të ashpër dhe parimor në mbrojtje të interesave të shtetit dhe popullit të Kosovës. Ngjarjet e fundit dhe aferat që po dalin në dritë i demantojnë edhe qëndrimet e portaleve, mediave dhe televizioneve private, si dhe të pseudo-analistëve e opinionistëve në Kosovë, të cilët për javë, muaj e vite me radhë e akuzuan Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti se gjoja janë kundër Bashkimit Evropian dhe kundër Amerikës.

Kjo mendësi primitive e një klase pseudo-intelektuale vazhdon ta mbajë peng sektorin e informimit medial në shoqërinë Kosovare. Po të kishin sadopak moral profesional, këta individë do të duhej të skuqeshin për dështimet, manipulimet dhe analizat e tyre të pasakta në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke u turpëruar jo vetëm para opinionit të gjerë shqiptar, por edhe para vetë familjeve të tyre. Në fund mund të konstatojmë se interesi i Kosovës si dhe afrimimi i saj në arenën ndërkombëtare u mbrojt dhe u menaxhua në mënyrën më të duhur duke i balancuar raportet dhe veprimet shumë productive nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti” – përfundon ai për gazetën “Bota sot”.

Të Ngjashme