Publikimi dhe shpërndarja e videove intime që kanë përfshirë në debat disa emra të njohur ka sjellë reagimin e Ori Nebijajt.
Përmes një postimi të gjatë në Instagram, ajo ka kritikuar jo vetëm mënyrën se si materiale të tilla përhapen në rrjet, por edhe vëmendjen që publiku u kushton jetëve private të personazheve.
“Në fakt, skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje”, shkruan Nebijaj.



Ajo ngre gjithashtu shqetësimin se personat që shfaqen në materiale të tilla mund të jenë filmuar pa dëshirën apo dijeninë e tyre. Sipas saj, duhet të ketë përgjegjësi për këdo që filmon intimitetin e një personi pa pëlqim, por edhe për ata që më pas shpërndajnë pamjet.
“Ky është abuzim, jo argëtim”, thekson ajo.
Nebijaj ndalet edhe te mënyra se si zhvillohet debati publik pas publikimit të videove të tilla. Sipas saj, vëmendja zhvendoset te pyetjet se me kë kishte një person marrëdhënie, ndërkohë që në plan të dytë mbeten çështje të tjera me interes publik.
Një tjetër pikë që ajo ngre është mënyra se si gjykimi në rrjet, sipas saj, rëndon më së shumti mbi gratë.
“Burri mund të jetë pjesë e së njëjtës histori, por ajo bëhet titulli, objekti i gjykimit dhe shënjestra e komenteve”, shkruan Nebijaj, duke e konsideruar këtë një standard të dyfishtë.
Në fund të reagimit, ajo përmend drejtpërdrejt kompozitorin Adrian Hila dhe kërkon përgjegjësi për personat që kanë shpërndarë videot, qoftë fillimisht apo më pas.

Reagimi i Ori Nebijajt vjen në një moment kur materialet intime që po qarkullojnë në rrjet kanë hapur një debat më të gjerë për privatësinë, mënyrën e sigurimit të tyre dhe përgjegjësinë për shpërndarjen pa pëlqimin e personave të përfshirë.
