Gjykata e Milanos e ka liruar nga akuza e mashtrimit të rëndë Chiara Ferragnin në çështjen e “Pandoro-gate”. Vendimi i pushimit të çështjes u dha nga gjyqtari Ilio Mannucci Pacini në sallën e gjyqit në orën 15:30 sot më 14 janar.
Çështja kishte të bënte me pjesëmarrjen e saj në një fushatë reklamuese për ëmbëlsirën tradicionale italiane “Pandoro” dhe vezët e Pashkëve “Dolci Preziosi”, të cilat u prezantuan si produkte të lidhura me veprime bamirësie.
Prokuroria e Milanos, e cila kishte kërkuar 1 vit e 8 muaj burg për Ferragnin, akuzoi se fushatat që promovonin produktet specifike midis viteve 2021 dhe 2022, të cilat u kryen përmes kompanisë influencuese, u paraqitën si të lidhura me dy nisma të veçanta bamirësie, pa e pasqyruar plotësisht realitetin.
Ferragni kishte deklaruar se nuk kishte informacion të detajuar në lidhje me destinacionin e parave specifike dhe se kishte paguar tashmë mbi tre milionë euro kompensim.
Gjyqtarët vendosën se nuk ishte një rast mashtrimi me rrethana rënduese, në dëm të konsumatorëve që blejnë produkte në internet. Për këtë arsye, akuza e mashtrimit të rëndë u ul në mashtrim të thjeshtë, i cili mund të ndiqet penalisht vetëm përmes ankesave private (të cilat u shuan pasi Ferragni pagoi mbi 3 milionë euro dëmshpërblim).
Shoqata italiane e konsumatorëve Codacons, një vit më parë, kishte tërhequr padinë që kishte ngritur, pas vendimit të Ferragnit për të paguar kompensim.
“Jam e lumtur që mund ta marr jetën time përsëri në duart e mia, një makth ka mbaruar. Falenderoj avokatët e mi dhe të gjithë ata që më ndjekin në internet, të cilët, për dy vjet, më kanë mbështetur deri më tani”, tha Ferragni.


