Lajme

Skandali që tronditi dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak i lidhur me Epstein – eksperti amerikan flet për pasojat!

Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben Meir në një prononcim për “Bota sot” foli për përfshirjen e ish të dërguarit nga Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në komunikim me financierin pedofil Jeffrey Epstein.

Fillimisht, tha se zbulimet e komunikimeve të fundit në të cilat është përfshirë Lajçak janë shqetësuese.

Mirëpo, sipas tij, kjo nuk do ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi, pasi ky është proces i gjerë dhe i udhëhequr nga BE, emisari sllovak ishte vetëm një përfaqësues.

“Zbulimet në lidhje me komunikimet e Miroslav Lajçak me Jeffrey Epstein janë shqetësuese dhe ngrenë shqetësime legjitime etike dhe reputacionale. Megjithatë, ato, në vetvete, nuk e zhvlerësojnë dialogun Kosovë-Serbi ose Marrëveshjen e Ohrit.

Dialogu nuk bie nën domenin e asnjë ndërmjetësi të vetëm. Është një proces i udhëhequr nga BE-ja, i mbikëqyrur nga shtetet anëtare, që ekziston që nga viti 2011 dhe është i ankoruar në vazhdimësinë institucionale dhe jo në autoritetin personal. Në këtë kuptim, procesi është strukturalisht i qëndrueshëm dhe nuk mund të zhbëhet në mënyrë retroaktive nga pyetjet që lidhen me sjelljen e një ish-ndërmjetësi kryesor”, deklaroi ai.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, Ben-Meir theksoi se, përfshirja e një emisari në një dosje të tillë skandaloze e dobëson besimin, ndonëse nuk zhvlerëson marrëveshjet e arritura në të kaluarën.

“Megjithatë, ndërmjetësimi politik varet jo vetëm nga mandatet formale, por edhe nga besimi, besueshmëria dhe autoriteti moral. Çdo ndërmjetës, gjykimi ose integriteti i të cilit vihet në dyshim publikisht, në mënyrë të pashmangshme dobëson besimin në proces, veçanërisht në shoqëritë që janë tashmë thellësisht skeptike ndaj ndërmjetësimit ndërkombëtar. Kjo nuk ka rëndësi sepse zhvlerëson marrëveshjet e kaluara, por sepse ndikon në besimin publik në të ardhmen”.

Krahas kësaj, eksperti amerikan potencoi se “fati” i Marrëveshjes së Ohrit varet nga BE dhe qasja që do ketë ajo.

Megjithatë, kërkoinga Bashkimi Evropian që të fokusohet që tash e tutje negociatat mes dy palëve të jetë transparente dhe të përmbushin standardet më të larta etike.

“Lidhur me Marrëveshjen e Ohrit konkretisht, qëndrimi i saj ligjor dhe politik nuk varet nga reputacioni i z. Lajçak. E ardhmja e saj varet nga vullneti politik i Kosovës dhe Serbisë dhe nga angazhimi i vazhdueshëm dhe parimor i BE-së. Megjithatë, perceptimet kanë rëndësi dhe BE-ja duhet të jetë e vëmendshme ndaj mënyrës se si zbulime të tilla jehojnë në rajon.

Bashkimi Evropian nuk ka nevojë të “rishqyrtojë” marrëveshjet e kaluara, por ka përgjegjësinë të sigurojë që përpjekjet e ardhshme të ndërmjetësimit të përmbushin standardet më të larta etike dhe që transparenca dhe llogaridhënia të merren seriozisht. Një dialog i besueshëm kërkon jo vetëm aftësi diplomatike, por edhe integritet të paqortueshëm”, shtjelloi Ben Meir.

Në fund, kërkoi që, “ky moment duhet të përdoret jo për të prishur dialogun, por për të përforcuar parimin se ndërmjetësimi në konflikte të ndjeshme duhet të jetë si institucionalisht i fortë ashtu edhe moralisht i besueshëm”.

Të Ngjashme