UEFA ka njoftuar se “bet365”, një nga kompanitë kryesore të basteve në internet në botë, do të sponsorizojë Ligën e Kampioneve për sezonet 2024–2027, duke u bërë marka e parë e basteve sportive që sponsorizon kompeticionin më prestigjioz në botë të futbollit për klube. Faza e re e “UEFA Champions League” me 36 ekipe fillon më 17 shtator, pas shortit të fazës së ligës, që do të zhvillohet në Monako më 29 gusht.
NË SHQIPËRI– Edhe pse prej 1 prillit të këtij viti bastet sportive online janë bërë të ligjshme, ushtrimi i këtij aktiviteti pa marrjen e një licence nuk lejohet, kjo pasi komisioni për dhënien e licencave nuk është ngritur ende. Ky proces ka ngecur tek emërimet e ministrive të caktuara, si Ministria e Brendshme, Financave, Ekonomisë, Çështjeve Sociale dhe Drejtësisë. Pesë nga shtatë anëtarët e komisionit duhet të jenë persona që nuk kanë lidhje me administratën publike, ndërsa përzgjedhja e tyre nuk është bërë ende edhe pse pritej që në korrik ky komision të ishte ngritur. Nga ana tjetër, përgatitja e akteve nënligjore është lënë pas dore dhe asgjë e re nuk ka ndodhur në muajin që lamë pas.
Afati i caktuar është 6 muaj nga 1 prilli, kur ligji i basteve sportive “online” kaloi në Fletoren Zyrtare. Përveç kompanive që kanë operuar më parë në vendin tonë, janë edhe disa kompani ndërkombëtare serioze që kërkojnë të shtrihen edhe në Shqipëri, pasi aktiviteti i tyre është aktiv në disa vende të Europës. Në total do të jepen 10 licenca me afat 10 vjeçar. Ndërkohë, në terren vijojnë arrestimet e personave që luajnë baste, sepse ka shumë të tillë që janë në dijeni se bastet tashmë janë të ligjshme dhe shkojnë hapur për të vendosur një të tillë dhe më pas marrin pasojat në kurriz.
PANORAMASPORT.AL