Takime, premtime e intervista në media të ndryshme, partitë politike në Kosovë kanë “mveshur mëngët” për zgjedhjet e 7 qershorit.
Të enjten edhe zyrtarisht partitë do të fillojnë fushatën dhe hapja e saj do të bëhet në vende të ndryshme të Kosovës, përpos LVV-së dhe PDK-së që kanë zgjedhur Ferizajin.
Lëvizja Vetëvendosje duke filluar nga ora 19:30, në palestrën sportive “Bill Clinton” në Ferizaj, do të bëjë tubimin hapës të fushatës zgjedhore, duke i ftuar pjesëmarrësit në të.
Nga Ferizaj do ta hapë fushatën edhe PDK-ja e Bedri Hamzës. Kjo parti do ta hapë fushatën duke filluar nga ora 20:00, duke ftuar pjesëmarrësit t’i bashkangjiten rrugëtimit për ta ndryshuar Kosovën.
T’i bashkohen “tubimit të madh elektorial” në zyrtarizim të fushatës, po fton edhe LDK e cila ka zgjedhur kryeqytetin dhe sallën 1 Tetori për këtë arsye. Tubimi do të mbahet duke filluar nga ora 18:00, ndërsa në të do të bëhet edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë.
Ndërsa, Gjakova është vendi i zgjedhur nga AAK për hapjen e fushatës, duke filluar nga ora 19:45 në Platonë e parkut të qytetit.
Gjersa, pritet që të fillojë edhe zyrtarisht fushata, partitë politike kanë zbuluar edhe sloganet e tyre për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Qitja pikën: Krejt për shtet, shtet për krejt”, është slogani i LVV-së, të cilin e prezantoi të dielën që lëmë pas.
“Duam dhe punojmë për një shtet që është pranë secilit qytetar. Një shtet që mbron interesin publik, krijon mundësi dhe e shpërndan zhvillimin për të gjithë. Prandaj, në këto zgjedhje, le të mobilizohemi e të angazhohemi krejt për këtë shtet. Qitjani pikën: Krejt për shtet, shtet për krejt!”, thuhet në njoftim të tyre.
Ndërsa, PDK disa ditë para LVV-së prezantoi sloganin zyrtar i cili është “Stop krizës. Ndrysho Kosovën”. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqen 16 profile të profesioneve dhe moshave të ndryshme duke thënë fjalën “STOP”, kreu i PDK-së ka thënë se ky slogan nuk është vetëm një mesazh politik, por një mision për t’i dhënë fund krizave që, sipas tij, po rëndojnë jetën e qytetarëve.
“STOP krizave politike. STOP çmimeve të larta. STOP pasigurisë, përçarjes dhe mungesës së shpresës”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Hamza.
LDK ka zgjedhur që me “Bashkohu” të garojë në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa AAK me sloganin “Siguri, Energji, Zhvillim”.
Analizimi i sloganeve
Analisti Gani Qarri, për “Bota sot” thotë se me bërjen publike te sloganeve dëshmohet polarizimi dhe thellimi i krizës institucionale.
Ai hedh kritika ndaj milionerëve të pasluftës, gjersa përgëzon qeverinë Kurti për ndarjen e mjeteve buxhetore për qytetarët.
“Edhe kësaj radhe, fatkeqësisht që në parafushatën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, segmentet opozitare, të cilat tanimë kanë bërë publike sloganet e tyre partiake për zgjedhjet e reja, dëshmojnë se përsëri kanë në plan jo shtensionimin e gjendjes ndërmjet partive pjesëmarrëse në Kuvend, që vendi, pas përsëritjes së disahershme të zgjedhjeve e ka kaq të nevojshëm, por vazhdimin e polarizimit të qytetarëve dhe thellimin edhe më tej të krizës institucionale, të cilën mjerisht partitë opozitare edhe kësaj radhe, po e trumbetojnë si narrativën kryesore për marrjen e votave nga elektorati. Për aq më tepër milionerët e pasluftës me shtëpi, supermarkete e hotele private në lagjet më luksoze të Kosovës si “Marigona Rezidence” deri te shtëpitë super të shtrenjta në Australi e Kanada, të cilët jetojnë me të gjitha të mirat dhe shumë larg jetës së rëndomtë të qytetarëve, në vend se t`ua shpjegojnë qytetarëve të Kosovës, se nga u erdhën gjithë ata para dhe si i grumbulluan, për kaq pak vite, me një rrogë deputeti, kryetar partie apo funksionari politik, gjithë ato pasuri deri në Kanada, e Australi, për ti kamufluar milionat e vet, ata u shpallën luftë të paskrupullt 100 eurove, që Qeveria në detyrë ua shpërndau qytetarëve në nevojë, në vend se të ankohen publikisht se pse Qeveria Kurti, ua ndau njerëzve në nevojë vetëm nga 100 dhe jo nga 2-3 qind euro”.
“Madje, ato ndoshta duke aluduar se pse Qeveria Kurti nuk ua dha atyre ato para, apo mafiooligarkëve të lidhur me ta, sikurse vepronte dikur Isa Mustafa dhe qeveritë e PAN-it, pa u lodhur asnjëherë për skamjen dhe varfërinë e skajshme të qytetarëve, kanë fytyrë ta fajësojnë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, pse ai pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar vetëm 16.41 euro në llogaritë e tij bankare dhe nuk i ka të deponuara miliona euro, sikur ata në bankat vendore e ato ndërkombëtare. Dhe derisa vrapojnë, se cili nga ata-do të arrijë, i pari për të qëndruar gatitu para Naim Tërnavës, në emër të urimit të “bajramit”, në anën tjetër dëshmojnë pafytyrësinë e tyre totale me luftën e hapur në të cilën janë hedhur publikisht së fundi, kundër ndihmës së njëhershme në prag të kësaj feste fetare, prej 100 eurove që Qeveria Kurti ndau për kategoritë me të ardhura më të ulëta si pensionistët, studentët e fëmijët dhe 500 euro për nënat lehona të cilat me fëmijët që rritin garantojnë edhe vazhdimësinë e popullit tonë, kur dihet mirëfilli se edhe këto kategori të qytetarëve, në raste të tilla, kanë nevojë për blerjen e ndonjë gjëje më tepër, një pjesë jo e vogël e të cilëve, veçanërisht e pensionistëve, nuk kanë mundësi ta gëzojnë pa ndihmën e shtetit”, deklaron Qarri.
Sipas tij, slogani i LVV-së merr kuptim edhe për shkak të punës gjatë qeverisjes.
“Ç‘është e vërteta, parë realisht dhe shprehur fare thjeshtë e pa ekuivoke, përveç ndihmave të njëhershme, kryeministri Albin Kurti, lënë anash kalkulimet politike, gjatë qeverisjes së tij në mandatin e vet të parë, të plotë, u ka lidhur të gjithë qytetarëve të vendit të ardhura personale, fëmijëve shtesa të cilat nuk i kishin më parë dhe nënave lehona që së fundi arritën në 500 euro, andaj praktikisht, në Kosovë, pothuajse nuk ka më njerëz pa të ardhura personale, kështu që edhe slogani “Krejt për shtet dhe shtet për krejt” merr kuptim plotësisht, përveç formulimit, i cili sipas meje duhej të ishte “Të gjithë për shtet dhe shtet për të gjithë”, sepse përdorimi i dialektalizmave në përditshmërinë publike, qoftë edhe si slogane zgjedhore, po largojnë shqiptarët nga “Njëjtësia” dhe të qenurit popull unik, gjë që shkon vetëm në dobi të armiqve të cilët dëshirojnë të na shohin sa më të ndarë e të shkapërderdhur dhe nuk ua duan të mirën shqiptarëve”, shprehet analisti.
Slogani i PDK-së, sipas Qarrit, nuk përputhet sepse sipas tij, PDK është shkaktar i pakonkurrencës në vend, krizave dhe problemeve të ndryshme.
Ai jep edhe shembuj rreth kësaj.

Gani Qarri
“Ndërsa sa i takon sloganit të PDK-së, “Stop krizës”, dihet botërisht se pikërisht vet ky subjekt, është gjeneruesi numër 1 dhe shkaktar i pakonkurencë në tërë vendin, i krizave dhe problemeve të vazhdueshme, nga më të ndryshmet, deri edhe te rrahjet fizike, siç ndodhi së fundi me sulmin e freskët të grupit problematik të Sami Lushtakut kundër zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehani, në Skënderaj, parti që siç dihet publikisht, tash e sa kohë është e ndarë edhe përbrenda dhe mbijeton e përçarë në klane dhe kriza të vazhdueshme fragmentare si segment i abstrahuar politik, me ç`rast mund ta përmendim edhe rastin e luftës së paprecedent të para rreth një viti, po të të njëjtit klan destabilizues të Sami Lushtakut, kundër kreut të Drenasit z. Ramiz Lladrovci. Këta janë shembujt tipik të politikës së PDK-së, që i njohin mirë qytetarët dhe votuesit e vendit tonë, andaj dhe nuk e di se çfarë kuptimi ka dhe as çfarë porosie mund të përcjellë PDK te qytetarët me sloganin “Stop krizës” dhe ndrysho Kosovën”, kur dihet publikisht se vet PDK ndodhet në krizën më të thellë të mundshme që nga themelimi dhe nuk po arrin ta ndryshojë as vetveten e cila bashkë me LDK-në dhe AAK-në, gjatë gjithë vitit 2025 ishin edhe bllokuesit kryesor të institucioneve të shtetit dhe shkaktarët e krizave të vazhdueshme institucionale, që edhe tani po na qojnë në zgjedhjet tërësisht të panevojshme të 7 qershorit, të pestat me radhë, komunale e parlamentare, brenda vetëm 15-16 muajve të fundit kalendarik në vend”, thekson Qarri.
LDK me sloganin e saj kundërshton veten, thotë Qarri, gjersa kritikon kreun e kësaj partie për shkak të bllokadës institucionale.
“Me një fjalë, derisa LVV me sloganin “Krejt për shtet, shtet për krejt! Qitja pikën” kanë zgjedhur këtë slogan si strategji mobilizuese për votuesit brenda dhe jashtë vendit, me synim të marrjes së shumicës dërmuese të votave, për mënjanimin e përsëritjes së bllokadave të mëtejme politike nga opozita, shpëtimin e vendit, nga shkuarja serish në zgjedhjeve të reja të parakohshme dhe përmbylljen e reformave të bllokuara shtetërore, LDK me sloganin “Bashkohu” realisht kundërshton vetveten dhe nuk e di për cilin subjekt e ka fjalën, kënd dëshiron ta bashkojë ajo dhe me çfarë grupimi apo segment politik pretenduaka tani të bashkohet, derisa me Abdixhikun në krye, vet LDK ishte kundër çfarëdo bashkimi dhe për mese dy vite me radhë nuk pranoi të bashkëpunonte me asnjë parti politike në pozitë as opozitë. Për aq më tepër, përkundër ofertave të vazhdueshme nga të dy krahët politik, ishte LDK me Abdixhikun, që lanë vendin gjatë gjithë vitit 2025 në bllokadë institucionale, madje Lumir Abdixhiku shkaktoi edhe krizën më të re të vitit 2026, duke refuzuar çfarëdo bashkëpunimi edhe për zgjidhjen e presidentit dhe u bë përgjegjësi kryesor për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja të parakohshme”, shton Qarri.
Në fund, sipas analistit opozita përmes sloganeve ka tentuar të fajësojë qeverinë Kurti, por në fakt ata kanë dëshmuar se përveç shkaktimit të krizave e kaosit, përmes inskenimit të bllokadave institucionale, nuk janë të afta për mbajtjen e qëndrimeve politike as marrjen e përgjegjësive shtetërore mbi vete
“Polarizimi dhe përjashtimi i rivalëve politik nga opozita, si dhe fushata e orientuar për konfrontimin e drejtpërdrejtë të votuesve, me të cilat vijojnë edhe në këto zgjedhje të shërbehen partitë opozitare, nuk i sjellin asnjë të mirë këtij vendi të lodhur nga ngërçet dhe bllokadat e vazhdueshme politike, prandaj opozita më kot përpiqet që përkundër qëndrimeve të veta bllokuese, përmes sloganeve hipotetike, ta fajësojë Qeverinë Kurti për krizën dhe portretizojnë subjektet e tyre si alternativa, derisa partitë aktuale opozitare me destabilitetin e tyre të brendshëm, kanë dëshmuar në vepër se përveç shkaktimit të krizave e kaosit, përmes inskenimit të bllokadave institucionale, nuk janë të afta për mbajtjen e qëndrimeve politike as marrjen e përgjegjësive shtetërore mbi vete. Parti, që në vazhdimësi kanë refuzuar çdo ofertë bashkëpunuese me pozitën, për të mirën e shtetit, krijimin e stabilitetit politik dhe qetësisë publike në vend, ku veçanërisht bie në sy Lumir Abdixhiku, i cili përveçse ka nxitur shkaktimin e tensioneve të vazhdueshme dhe ka bllokuar edhe krijimin e institucioneve të shtetit, ai duke qenë i refuzuar pothuajse nga gjysma e kryesisë së LDK-së, ka pamundësuar qëllimisht edhe zgjedhjen e presidentit dhe bërë shkaktari kryesor për çuarjen e vendit në zgjedhjet e 7 qershorit, e të mos flasim tani edhe për sloganet dhe strategjitë utopike të një subjekti në rënie të lirë si AAK, që pothuajse kësaj radhe e ka plotësisht të sigurt biletën që moti, të merituar vetëm njëkahëshe, për shkuarjen përfundimtare dhe pa kthim në arkivin e historisë, së partive të dështuara politike”, përfundon analisti.
Kritika ndaj sloganeve
Ndërsa, politologu Adnan Qaka, thotë se sloganet në këto zgjedhje janë të kota.

Adnan Qaka
Ai nuk mohon zhvillimet e Kosovës gjatë 27 viteve të pas luftës, por sipas tij, mbetet edhe shumë për t’u bërë dhe sloganet janë vetëm paraqitje e forcës së partisë.
“Sloganet e partive politike në këto zgjedhje janë tejet të kota. Në vazhdimësi kemi qenë dëshmitarë që partitë politike kanë përdorur slogane të ndryshme, duke e paraqitur veten si parti zhvillimore dhe si forca që bazohen në kauza të mëdha kombëtare e shtetërore. Fatkeqësisht, realiteti ka qenë krejt ndryshe. Sidomos partitë që kanë qenë parlamentare dhe në pushtet që nga paslufta e deri më sot, në shumë raste e kanë tradhtuar interesin kombëtar, kanë keqpërdorur paranë publike dhe mbajnë përgjegjësi direkte për ngecjen e madhe të Kosovës pothuajse në çdo sferë të jetës. Nuk e mohoj që gjatë këtyre 27 viteve pas luftës janë bërë disa zhvillime të rëndësishme dhe janë arritur disa suksese, por fatkeqësisht ka pasur shumë më tepër mundësi për t’u bërë. Sot, Kosova për mua është shteti më i varfër në Evropë, sepse nuk mjafton vetëm një statistikë formale për ta përcaktuar varfërinë. Edhe pse Moldavia shpesh renditet statistikisht si më e varfra, në Kosovë jeta është jashtëzakonisht e shtrenjtë, inflacioni është i lartë, ekonomia mbështetet kryesisht te remitencat, importi dhe të hyra nga doganat, ndërsa vendi përballet me deficit të madh tregtar, papunësi të lartë dhe pabarazi të thellë sociale”, deklaron Qaka për “Bota sot”.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” shprehet pesimist sa i përket zgjedhjeve të reja, gjersa nuk pret ndonjë ndryshim me rëndësi.
“Prandaj nuk kam asnjë dyshim kur them se Kosova sot është shteti më i varfer dhe më pa perspektivë në Evropë. Këtë e dëshmon edhe emigrimi masiv i të rinjve, një fenomen që fatkeqësisht nuk do të ndalet lehtë, sepse një pjesë e madhe e shoqërisë e ka humbur besimin se ky vend do të bëhet mirë. Skena politike në Kosovë, në vend që të punojë për interesin kombëtar, në shumë raste ka prodhuar vetëm kriza, përçarje dhe dëme afatgjata që sot qytetarët po i paguajnë shumë shtrenjtë. Të gjitha qeveritë nga paslufta deri më sot kanë bërë gabime të mëdha politike, ekonomike dhe kombëtare, pasojat e të cilave vazhdojnë të rëndojnë mbi këtë popull. Për këtë arsye, në këto zgjedhje nuk shoh ndonjë ndryshim me rëndësi. Fatkeqësisht, Kosova ende nuk ka një alternativë të duhur politike. Kosovës i duhet një shtresë e mirëfilltë intelektuale dhe politike, një elitë me integritet të lartë kombëtar, moral dhe intelektual, që e vendos interesin e shtetit dhe të qytetarëve mbi interesat personale e partiake. Pa krijimin e një shtrese të tillë, nuk shoh se mund të ketë ndryshim real. Sidomos jo në periudhën afatshkurtër. Prandaj besoj se këto zgjedhje nuk do të prodhojnë asgjë tjetër, përveç vazhdimit të krizave politike dhe të stagnimit që tashmë e ka lodhur dhe dëmtuar rëndë Kosovën”, shton politologu për “Bota sot”.
