Politologu, Avdi Smajljaj ka komentuar deklaratën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij nuk ka interes të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një pozitë ceremoniale që, sipas Kushtetutës, i takon partisë së parë.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Smajljaj ka thënë se ky qëndrim bie në kundërshtim me deklaratat e mëhershme të LDK-së, sipas të cilave nuk ishte e pranueshme që Vetëvendosja të mbante tri pozitat kryesore shtetërore.
“Heqja dorë nga kryeparlamentari bie ndesh pak me atë idenë që Vetëvendosja po i merr të tri pozitat e rëndësishme. Kjo u dëshmua edhe sot, kur vetë Abdixhiku tha në mënyrë eksplicite se kryetari i Kuvendit nuk është ndonjë pozitë e rëndësishme. Kjo nuk është thënë në të kaluarën, pasi ka pasur këmbëngulje se tri postet kryesore nuk duhet t’i takojnë një partie politike. Fakti që tani vëmendja është përqendruar te posti i presidentit, duket se e ka shtyrë LDK-në ta konsiderojë postin e kryeparlamentarit si më pak të rëndësishëm dhe më pak të pushtetshëm krahasuar me presidencën”, ka deklaruar Smajljaj.
Sipas tij, me përjashtimin e postit të kryetarit të Kuvendit nga negociatat, hapësira për përfitime politike të LDK-së në një marrëveshje eventuale me Vetëvendosjen është ngushtuar.
“Përjashtimi i pozitës së kryeparlamentarit e ngushton atë që LDK-ja mund të përfitojë. Tani duket se i gjithë koncentrimi është te posti i presidentit. Nuk e dimë ende nëse LDK-ja do të përfshihet në qeveri, por kemi thënë se pjesëmarrja në ekzekutiv nuk i sjell ndonjë përfitim të madh politik, pasi ekzistenca e qeverisë nuk varet nga numrat e saj. Prandaj, fokusi është te presidenti, pasi duket se ky është synimi kryesor që LDK-ja mund të përfitojë nga një marrëveshje koalicioni. Nëse nuk e merr as postin e presidentit, atëherë nuk mbetet ndonjë përfitim i drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, përveç kontributit në krijimin e institucioneve”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk ka apetit që të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar si figurë ceremoniale që i takon partisë së parë sipas Kushtetutës.
Pas përfundimit të takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti të martën, Abdixhiku ka thënë se për çështje të tjera ka afat kohor shtesë.
“Nëse deri më 6 gusht s’kemi marrëveshje, i kemi thënë të vazhdojë konsituimi. LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë siç e thotë edhe Kushtetuta. Për çështje të tjera, kemi afat kohor shtesë. Sa më herë të bëjmë zgjidhje, aq më mirë”, ka thënë ai./teve1.info/
