Lajme

Smajljaj: Subjektet politike po luajnë “kile”, s’duan marrëveshje

Politologu, Avdi Smajljaj ka vlerësuar se partitë politike nuk janë të interesuar për marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Ai ka thënë se takime që po zhvillohen janë për të lënë përshtypje se po bëhet përpjekje për marrëveshje.

Smajljaj ka thënë se partitë po synojnë ta gjejnë fajtorin për shkuarjen  në zgjedhje. Madje ai veprimet e partive i ka krahasuar me lojën “kile” që e luajnë fëmijët.

“Të gjitha partitë politike nuk janë të interesuara të gjejnë zgjidhje. Deklarata e Vetëvendosjes se ‘ne do të bëjmë gjithçka’, nuk kanë nevojë me bë gjithçka, mjafton të bëjnë diçka. Këto takime janë takime për takime. Janë takime të zorit për të lënë përshtypje tek qytetarët se ne po bëjmë përpjekje. Kjo ma kujton lojën kur kemi qeni fëmijë, luanim ‘kile”. Këtu kilja është kush po e qon vendin në zgjedhje, sepse dikush tani do të penalizohet. Krejt është ai vullneti. Nuk ka asnjë arsyetim që vendi mos të ketë president”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Smajljaj ka thënë se partitë kanë kalkulimet e tyre për zgjedhjet, ku të gjitha sipas tij mendojnë se do të kenë rritje të numrit të votave.

“Paritë i kanë kalkulimet e veta, Vetëvendosje u rrit përmes zgjedhjeve, PDK, LDK e AAK shpresojnë se ndoshta duke krijuar kriza LVV do të bie dhe këto do të shënojnë rritje”, tha ai.

Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është 28 prilli.

Të Ngjashme