LifeStyle

Snoop Dogg komenton dramën në familjen Beckham: Asnjë baba nuk është perfekt

Snoop Dogg i ka dërguar një mesazh mbështetjeje mikut të tij të vjetër, David Beckham, pas përplasjes publike mes këtij të fundit dhe djalit të madh, Brooklyn Beckham.

Reperi, i cili është mik me ish-futbollistin prej më shumë se dy dekadash, dha një intervistë për revistën Closer, duke komentuar postimet e fundit të Brooklyn-it në rrjetet sociale, ku akuzonte prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, për sjellje manipuluese. 

“Me David-in njihemi prej më shumë se 20 vitesh,” u shpreh Snoop Dogg. “Pavarësisht gjithçkaje që ka arritur, për të nuk ka asgjë më të rëndësishme se familja.”

Duke folur për marrëdhënien baba–bir, ai shtoi:

“Kemi diskutuar shpesh për prindërimin. Ne bëjmë më të mirën që mundemi, por asnjë baba nuk është perfekt. Të gjithë gabojmë, por gjithmonë duhet të ketë falje.”

Snoop Dogg theksoi se nuk e ka diskutuar drejtpërdrejt situatën me Beckham, por e bëri të qartë se e mbështet. 

“Ai e di që mund të më telefonojë kur të dojë. Gjatë viteve kemi folur shpesh për fëmijët tanë, por David-i dëshiron ta mbajë këtë çështje private.”

Ai theksoi rëndësinë e dialogut të hapur në familje:

“Gjërat mund të përmirësohen kur ka komunikim të sinqertë. Këtë ua kam thënë gjithmonë fëmijëve të mi: nëse keni diçka për të thënë, thuajeni, edhe nëse është e vështirë për mua ta dëgjoj.”

Në përfundim, reperi theksoi se prindërit duhet t’i lejojnë fëmijët të zgjedhin rrugën e tyre, por, sipas tij, prindërimi do të thotë të jesh i pranishëm dhe t’u tregosh se je aty për ta, pavarësisht gjithçkaje. 

Të Ngjashme