Një sondazh i fundit ka zbuluar se çiftet e martuara janë dukshëm më romantikë gjatë pushimeve, me 65% më shumë gjeste dashurie krahasuar me jetën e përditshme.
Studimi, i kryer nga Talker Research në bashkëpunim me BeachBound Vacations, përfshiu 2,000 amerikanë të martuar. Sipas rezultateve, 82% e pjesëmarrësve besojnë se një udhëtim romantik me partnerin mund të rikthejë “shkëndijën” në marrëdhënie. Madje, 56% deklaruan se pushimet kanë ndihmuar në përmirësimin e lidhjes së tyre.
Më shumë se gjysma (57%) thanë se ndihen më të lidhur me partnerin gjatë një udhëtimi sesa kur janë në shtëpi, ndërsa u raportua një rritje e ndjeshme e afeksionit: mbajtje duarsh (53%), përqafime të shpeshta (37%) dhe shfaqje publike të dashurisë me 45% më shumë se zakonisht.
60% e çifteve pranuan se kthehen nga pushimet duke u ndier më të dashuruar. Ndër aktivitetet më romantike që përmendën ishin: shikimi i perëndimit të diellit (47%), eksplorimi i një vendi të ri (44%), si dhe shëtitjet e gjata dorë për dore (38%).
“Pushimet i ndihmojnë çiftet të rilidhen dhe të rizbulojnë pasionin për njëri-tjetrin”, tha Dana Studebaker, zëvendëspresidente e marketingut në BeachBound Vacations.
Megjithatë, pas kthimit në rutinën e përditshme, ndjesitë romantike fillojnë të zbehen – zakonisht pas 6.5 ditësh. Gratë e përjetojnë këtë më shpejt (pas 5.6 ditësh), ndërsa burrat arrijnë të mbajnë emocionet për rreth një javë (7.9 ditë).
Si zgjidhje, ekspertët sugjerojnë planifikimin e udhëtimeve të reja. 48% e pjesëmarrësve pohuan se dëshira më e madhe si çift është të vizitojnë një vend të ri bashkë.
Aktivitetet më romantike sipas çifteve:
Shikimi i perëndimit të diellit (47%)
Eksplorimi i një vendi të ri (44%)
Shëtitje e gjatë dorë për dore (38%)
Provimi i një restoranti apo gatimi të ri (37%)
Kafe ose mëngjes i ngadaltë në ballkon (33%)
Shikimi i lindjes së diellit (32%)
Ekskursione panoramike (31%)
Qëndrimi në shtrat pa planifikim (27%)
