Në një rrëfim intim për “Grida Duma Podcast”, Soni Malaj ka folur jo vetëm për rrugëtimin e saj të gjatë muzikor, por edhe për dashurinë, familjen, divorcin, sakrificat dhe pengjet që vazhdon të mbartë.
Përballë Grida Dumës, një prej figurave më të njohura të muzikës shqiptare ka ndarë mendime dhe episode nga jeta e saj që e largojnë vëmendjen nga skena dhe arritjet profesionale.
Të lidhura
None found
Familja dhe dëshira për ta pasur atë më të madhe përbëjnë një nga pjesët më personale të kësaj bisede.
“Kam ëndërruar për një familje më të madhe. Do doja të kisha edhe dy fëmijë të tjerë”, rrëfen Soni, duke treguar hapur çfarë ka dëshiruar në jetën private dhe duke pranuar se jo gjithçka është realizuar ashtu siç e kishte ëndërruar.
Në të njëjtën kohë, ajo pranon se suksesi profesional ka pasur edhe koston e vet. Angazhimet, jeta prej artisteje dhe ritmi i skenës kanë ndikuar në vendimet që ka marrë në planin personal.
Duke shpjeguar përpjekjen për të mbajtur në ekuilibër ekspozimin publik me jetën private, këngëtarja shprehet: “S’kam dashur t’i marr fytyrën familjes sime”.
Gjatë intervistës, Soni Malaj ndalet gjithashtu te dashuria dhe divorci, duke shkuar përtej asaj që publiku ka parë. Ajo flet për ndjenjat, zgjedhjet e bëra dhe gjurmët që lë pas një histori personale.
Rrëfimi prek edhe ndikimin që karriera muzikore mund të ketë pasur në kufizimin e jetës së saj. Megjithëse ka pas vetes vite në muzikë, skenë dhe sukses, Soni pohon se sot disa gjëra i vlerëson nga një këndvështrim tjetër.
“Ka gjëra që i kam lënë pas dhe që sot i shoh ndryshe”, thotë ajo në një nga çastet reflektuese të bisedës me Grida Dumën.
