Sonte mbrëma pritet një nga netët më emocionuese dhe më vendimtare të këtij sezoni në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Spektakli i sotëm shënon gjysmëfinalen, ku rrugëtimi për dy banorë do të përfundojë, ndërsa tre të tjerë do të realizojnë ëndrrën për të prekur finalen.
Gara mbetet më e hapur dhe më e fortë se kurrë mes banorëve të mbetur. Pesë protagonistët e këtij edicioni – Miri, Brikena, Mateo, Shëndriti dhe Rogerti – janë në pritje të vendimit të publikut, i cili do të përcaktojë se kush vazhdon drejt fazës së fundit dhe kush e mbyll sonte aventurën.
Secili prej tyre ka sjellë përgjatë këtyre muajve emocione të forta, debate të zjarrta dhe strategji loje që kanë mbajtur publikun të angazhuar, por verdikti i gjysmëfinales do t’u japë vetëm tre prej tyre mundësinë të vazhdojnë.
Tre të përzgjedhurit nga televotimi i mbrëmjes së sotme do t’i bashkohen Selinës, e cila tashmë e ka siguruar vendin e saj në finale si finalistja e parë e këtij sezoni. Kështu, do të formohet katërshja përfundimtare, e cila do të përballet kokë më kokë në natën e madhe të finales.
Finalja e këtij edicioni do të mbahet më 18 prill, ku do të shpallet edhe fituesi i çmimit të madh, pas një gare që ka qenë ndër më të komentuarat e sezonit.
Cili nga pesë banorët do të lërë shtëpinë sonte dhe kush do t’i mbijetojë gjysmëfinales për t’iu bashkuar Selinës në rrugën drejt fitores? Përgjigjja pritet të zbulohet mbrëmjen e sotme.
