Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, ka kritikuar proceset gjyqësore ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë, duke vlerësuar se në mungesë të argumenteve për akuzat për krime lufte, Prokuroria po tenton të gjejë arsye për ta shpallur atë fajtor.
Sopi tha se sipas tij, në mungesë të arsyetimit të akuzave në procesin kryesor që po zhvillohet në Hagë, është iniciuar një proces tjetër gjyqësor.
“Prokuroria, në mungesë të arsyetimit të akuzave në procesin e madh gjyqësor që është duke u zhvilluar në Hagë, është duke u munduar që të gjejë një arsye ose një shkas që presidentin Thaçi ta shpallë fajtor. Në mungesë të argumenteve për akuza për krime lufte, ka iniciuar një proces tjetër gjyqësor”, deklaroi Sopi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai tha se përgjegjësinë për çdo pengim të drejtësisë duhet ta mbajë Qendra e Paraburgimit dhe Gjykata Speciale, të cilat, sipas tij, kanë për detyrë të parandalojnë çdo pengesë në procesin e drejtësisë.
Sopi u shpreh i bindur se trupi gjykues do t’i vlerësojë me kujdes provat dhe do të dallojë ato që janë kredibile nga ato që, sipas tij, janë të sajuara.
“Jam i bindur që kjo Gjykatë do të marrë vendimin e duhur, vendim bazë të asaj që është zhvilluar në Gjykatë, t’i klasifikojë shumë mirë provat, cilat janë kredibile dhe cilat janë gënjeshtra dhe të sajuara”, tha ai.
Sipas Sopit, çdo vendim përveç lirimit të Thaçit do të ishte i papranueshëm dhe do të dëmtonte imazhin e drejtësisë ndërkombëtare.
“Jam i bindur se, siç e tha avokati, përveç vendimit lirues, çdo vendim tjetër do të jetë i papranueshëm, por sigurisht do të jetë hije e keqe e drejtësisë ndërkombëtare në këtë rast të kësaj Gjykate”, përfundoi Sopi./teve.info/
