Lajme

​Sot përfundon afati dhe dihet se cilat subjekte politike garojnë në zgjedhje

Afati për subjektet politike për të paraqitur aplikimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare përfundon sot në orën 16:00.

Deri në këtë kohë, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve që do të garojnë për ulësen e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se pas përfundimit të këtij afati ne do të dihet se cilat subjekte politike do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e shkurtit të vitit të ardhshëm.

“Aktualisht ne nuk mund ta dijmë se sa është numri i subjekteve politike që do të garojnë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Vetëm pas përmbylljes së afatit për aplikim, do të mund ta dijmë se cilat janë subjektet politike që do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe se sa është numri i përgjithshëm i kandidatëve të tyre”, tha Elezi.

Elezi njoftoi se pas përfundimit të periudhës së aplikimit, KQZ do të shqyrtojë nëse aplikimet janë në përputhje me ligjin dhe procesi i certifikimit është i planifikuar të përfundojë më së largu deri më 25 dhjetor 2024.

Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, është planifikuar të bëhet më 7 janar 2025.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kishin garuar 28 subjekte politike, prej tyre 21 parti politike; 2 koalicione; 5 iniciativa qytetare dhe asnjë kandidat i pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve ishte rreth 1 mijë e 50 kandidatë.