
1
Dita e Evropës shënohet çdo vit më 9 maj dhe përfaqëson një festë zyrtare që kremton themelimin e Bashkimit Evropian.
Kjo ditë u vendos në përkujtim të Deklaratës së Schuman-it, të bërë më 9 maj 1950 nga ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, i cili propozoi një formë të re bashkëpunimi politik dhe ekonomik në Evropë — një hap kyç drejt krijimit të Bashkimit Evropian.
Deklarata e Schuman-it konsiderohet si themeli i integrimit evropian dhe si një pikënisje për ndërtimin e një Evrope të bashkuar, paqësore dhe pa kufij të brendshëm.
Në këtë ditë, të gjitha shtetet anëtare të BE-së organizojnë aktivitete të ndryshme si koncerte, ekspozita, aktivitete kulturore dhe sportive, për të festuar arritjet e përbashkëta dhe për të nxitur më tej bashkëpunimin evropian. Edhe institucionet evropiane hapin dyert për qytetarët, duke ofruar mundësi për t’u njohur më nga afër me punën dhe vlerat e BE-së.
Dita e Evropës festohet prej vitesh edhe në Kosovë, ku organizohen aktivitete të shumta nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, me qëllim promovimin e vlerave evropiane dhe afrimin e mëtejshëm të vendit me familjen evropiane.