Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar se pas zgjedhjeve të fundit, gjasat për shkuarje në zgjedhje të reja janë të vogla, duke theksuar se partia fituese i ka në dorë zhvillimet politike në vend.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Spahiu tha se një fitore me mbi 50 për qind është rezultat ideal për formimin e institucioneve dhe nuk krijon interes për zgjedhje të reja.
“Nuk është interes i partisë që ka fituar zgjedhjet me mbi 50 për qind të shkojë sërish në zgjedhje. Mbi 50 për qind është rezultat ideal, sepse më shumë se kaq vetëm sa sjell probleme nga brenda dhe nga faktorë të tjerë”, tha Spahiu.
Ai foli edhe për çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se roli i Albin Kurtit do të jetë vendimtar.
“Sa i përket presidentit të Kosovës, një gjë është e sigurt: atë që Albin Kurti nuk e do si president, nuk mund të bëhet president”, u shpreh Spahiu.
Duke komentuar mundësinë e një mandati të dytë të presidentes Vjosa Osmani, ai tha se nuk sheh interes nga ana e Kurtit për një mbështetje të tillë.
“Nuk besoj që Albin Kurti ka interes që Vjosa Osmani të jetë presidente për një mandat të dytë. Pas mandatit, ajo do të synonte të krijojë parti dhe të sfidojë politikisht Kurtin, dhe kjo është diçka që ai e ka parasysh”, përfundoi Spahiu.
